Arabia Saudite dhe katër aleatët e saj kanë ndërprerë sot marrëdhëniet diplomatike me Katarin, pas akuzave se po mbështet terrorizmin, duke shkaktuar kështu një krizë diplomatike në Lindjen e Mesme.
Katari ka reaguar me nervozizëm duke akuzuar fqinjët se po kërkojnë ta nënshtrojnë dhe ta dobësojnë ekonomikisht.
Ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike është shoqëruar me masa ekonomike, si mbyllja e kufijve tokësore dhe detarë, ndalime të fluturimeve dhe shtrëngime për lëvizjen e personave.
Pasoja e parë është ndërprerja, nga Egjipti dhe gjashtë kompanitë ajrore të Gjirit, e fluturimeve në Doha, ku kompania “Qatar Airways” do të jetë e detyruar të shtojë numrin e rrugëve drejt Evropës dhe Amerikës për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore saudite.
Pak shtetas nga Katari jetojnë dhe punojnë në vendet fqinje, por mbyllja vetëm e aksit tokësor në Katar, nëpërmjet Arabisë Saudite, do të prekë importet e mallrave të konsumit, veçanërisht prodhimet ushqimore vendase.
Bursa e Dohas pësoi goditje duke u mbyllur me rënie me 7,58 për qind.
Kjo krizë diplomatike ndodhi dy javë pas një vizite të presidentit amerikan, Donald Trump në Riad, ku ai u kërkoi arabëve dhe myslimanëve të ngrihen kundër grupeve ekstremiste. Trump kritikoi ashpër edhe Iranin.