Arabia Saudite ka dënuar me vdekje pesë persona për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, ka njoftuar prokurori i këtij vendi, shkruan Guardian.
Shalaan al-Shalaan gjithashtu njoftoi se Saud al-Qahtani, ish-këshilltar i lartë i princit të kurorës Mohammad bin Salman, është hetuar por jo edhe dënuar dhe për këtë është liruar, transmeton Telegrafi.
Vrasja e Khashoggit, kolumnist në Washington Post, kishte shkaktuar krizën më të madhe në Arabinë Saudite pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, ku liderët botëror dhe biznesmenë e drejtorë ekzekutiv, kërkuan që Riadi të distancohet nga kjo ngjarje e rëndë që pati shokuar botën.
CIA kishte ardhur në përfundim se Mohammad bin Salman, kishte porositur vrasjen e Khashoggit, thuhet në një raport të publikuar nga Washington Post.
Në anën tjetër, princi i kurorës ka mohuar kategorikisht përfshirjen e tij, por gjatë një interviste dhënë një televizioni amerikan në shtator, pati deklaruar se “merr përgjegjësinë e plotë për këtë vrasje makabre duke marrë parasysh se është lider i vendit”.
Shalaan ndër të tjera pranoi se tre persona tjerë lidhur me këtë rast janë dënuar me burgim me një total prej 24 viteve, kurse të gjithë të akuzuarit mund të apelojnë verdiktin.
Khashoggi jetonte në SHBA dhe ishte kritik i ashpër i princit Mohammed. Ai për herë të fundit ishte parë në konsullatën saudite në Stamboll të Turqisë gjatë 2 tetorit të vitit të kaluar, ku kishte shkuar për të rregulluar dokumentacionin për martesë.
Trupi i tij ishte shkatërruar dhe larguar nga ndërtesa e konsullatës, ndërsa asnjë gjymtyrë e tij deri më sot nuk është gjetur. /Telegrafi/