Telegrafi

Aprovohet hapja e ofertës financiare për “Kosovën e Re”

Komiteti Drejtues i Projektit Termocentralit “Kosova e Re”, i udhëhequr nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, mbajti takimin e radhës ku u prezantuan rezultatet e vlerësimit të ofertës së përputhshmërisë të dorëzuar nga ofertuesi Contour Global.

Sipas një njoftimi të MZHE-së në takim u bënë prezantimet e rekomandimeve për vlerësimin e ofertës nga Komisioni për Vlerësimin e Ofertave, Këshilltarët e Transaksionit, Këshilltari Strategjik (IFC), si dhe rekomandimet e Bankës Botërore.

KDP TC “Kosova e Re” me këtë rast mori vendim që procesi të vazhdojë me hapjen dhe vlerësimin e Ofertës Financiare, gjatë javës së ardhshme.

Në këtë takim, përveç Këshilltarëve të Transaksionit, anëtarëve të rregullt të KDP-së, ishin prezent edhe anëtarët vëzhgues si, Banka Botërore, BERZH, USAID, Kfw, Ambasada Amerikane, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e institucioneve tjera vendore që kanë të bëjnë me sektorin./Telegrafi/