Gjiganti i teknologjisë Apple ka njoftuar se po prezanton një llogari kursimi dixhitale për përdoruesit e Apple Card që do të ofrojë një kthim vjetor prej 4.15 për qind.
Apple thotë se nuk ka tarifa ose depozita minimale për mbajtjen e një llogarie kursimi dhe shpërblimet e mbledhura nga përdoruesit nën emrin Daily Cash do të kreditohen automatikisht në një llogari kursimi për të cilën do të kujdeset Goldman Sachs. Llogaria e Kursimeve Apple do të lidhet me të gjitha veçoritë e Apple Pay dhe Apple Wallet.
Normat e interesit për kursimet prej katër për qind e lart ishin të padëgjuara në SHBA deri një vit më parë. Megjithatë, kjo ndryshoi pasi banka qendrore FED filloi të rrisë normat e interesit për të zbutur inflacionin, raporton GSM Arena.
Bankat më të vogla lokale tani ofrojnë norma interesi për depozitat prej më shumë se pesë për qind, ndërsa grupet e mëdha bankare i kanë mbajtur normat e interesit shumë të ulëta. Norma mesatare e interesit në llogaritë e kursimeve amerikane është vetëm 0.37 për qind.
Apple ofron llogarinë e saj të kursimeve përmes Goldman Sachs, dhe fondet janë të siguruara nga FDIC, ose Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave.
Kjo do të thotë që llogaritë e saj përgjithësisht janë të siguruara federale deri në 250 mijë dollarë për depozitues. /Telegrafi/