Telegrafi

Apple, kompania më e vlefshme në SHBA

Gjatë ditës së djeshme Apple e ka përfunduar ditën e punës  me një vlerë të tregut e cila në total arrin shifrën prej 363.6 miliardë dollarëve, në krahasim me Exxon e cila kishte 331 miliardë dollarë.

Apple vazhdon të dominojë në tregun e teknologjisë, pasi që ajo për një kohë të gjatë shet disa prej produkteve më të njohura të teknologjisë, në një gamë të gjerë të segmenteve, duke filluar nga telefonat e mençur mobil, kompjuterët tablet, laptopët dhe kompjuterët personal.

Apple ka bërë një rrugë të gjatë për të arritur deri këtu. Para 14 viteve, Apple dhe Microsoft kishin arritur një marrëveshje përmes së cilës Microsoft pati investuar 150 milionë dollarë në Apple. Tani, Apple e ka tejkaluar kompaninë rivale Microsoft edhe sa i përket vlerës së tregut.

Pyetja të cilën me sa duket të gjithë janë duke e bërë është se edhe për sa kohë Apple do të jetë në gjendje për të vazhduar me rritjen e saj të pabesueshme, ndërsa vazhdon të prodhojë produkte si iPhone apo iPad, e në ndërkohë kompanitë tjera përpiqen të konkurrojnë me të. / Telegrafi /