Site icon Telegrafi

Apple dërgon PC-n në pension?

Si përherë, prezantim i Apple ishte përplot hiperbola, që në disa raste përfshiheshin edhe gënjeshtra. Shembull është fakti që iPad 2 është quajtur si ‘tableta’ e parë me procesor dybërthamor që shitet në sasi të mëdha- gjë që nuk është e vërtetë, pasi edhe Xoom i Motorolas dhe Streak 7 i Dell kanë procesorë dybërthamorë dhe në treg janë përpara iPad 2.

Sidoqoftë, duket se Apple sërish e ka goditur cakun për diçka tjetër, diçka që shumë kompani të harduerëve nuk mund ta kuptojnë. Në vend se të flasë për megapikselë dhe memorie, Apple ka treguar mbulesën e thjeshtë dhe atraktive për iPad-in e ri. Është folur për atë se sa është i hollë iPad 2, dhe jo sa është takti punues i procesorit të tij A5.

Po ashtu, në vend se të flasë për teknologjinë (iPad 2 nuk sjell asgjë revolucionare për teknologjinë), Apple të pranishmëve u ka treguar filma dhe krejt çfarë mund të shfaqë iPad-i. Atë mund ta shfrytëzojnë edhe fëmijët që vuajnë nga autizmi, pleq e të rinj, në të mund të bëhet montazhi i një filmi apo të incizohet kënga personale.

Gjë që e lejon kompaninë Apple të flasë për epokën ‘post-PC’. Duke qenë se nëse në shtëpi keni një iPad dhe një kompjuter personal dhe dëshironi të bëni diçka, zgjidhja juaj e parë do të jetë iPad-i (pasi nuk duhet pritur fillimin e sistemit operativ, nuk ka ndërprerje, as programe antivirusale që ngadalësojnë punën, as nevojë për freskime dhe pengesa të ngjashme). /Telegrafi/

Exit mobile version