Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka komentuar nismën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, Apostolova ka thënë se kjo nismë nëse realizohet do të ketë pasoja mbi rrugën integruese të Kosovës.
“Megjithatë është shumë e rëndësishme që qytetarët e Kosovës përmes përfaqësuesve që kanë zgjedhur në këtë Kuvend, ta dinë se çka mund të vijë si rrjedhojë nëse ky mocion vazhdon, nëse Ligji shfuqizohet dhe cilat janë pasojat në kredibilitetin e Kosovës si partner i BE-së”, tha Apostolova.
Ajo po ashtu theksoi se Gjykata Speciale nuk është e kufizuar në etnicitet të personave që do ti gjykojë.
“Dhomat e Specializuara do të krijohen në mënyrë që të shikojnë krimet që janë shprehur, incidentet që janë përmendur në raportin e Dick Martyt. Atij i është dhënë një detyrë nga Këshilli i Europës dhe aty ka përgjegjësi individuale të personave të caktuar, le të themi. Së pari, askush nuk e ka kufizuar rrethin e personave që mund të kenë aktakuza të ngritura vetëm ndaj shqiptarëve. Pra nuk ka është e bazuar në etnicitet”, tha Apostolova.
Apostolova në këtë intervistë flet lidhur me temat si korrupsioni, Gjykata Speciale dhe situata në veri.