Site icon Telegrafi

Apostolova porosit: Formoni një qeveri të qëndrueshme

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë sot se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit tash është në përgjegjësi të udhëheqësve politikë të dëgjojnë qytetarët e tyre dhe të formojnë një qeveri të qëndrueshme që do t’i shërbejë interesave të popullit.

Duke përkujtuar se Kosova përballet me shumë sfida, duke filluar nga papunësia e lartë dhe sistemi arsimor me performancë të ulët, deri te korrupsioni dhe sundimi i dobët i ligjit, Apostolova ka theksuar se është e rëndësishme që liderët politikë t’i marrin seriozisht këto sfida, të formojnë një qeveri të fortë dhe të fillojnë reformat që populli i kërkon.

“E përgëzoj popullin e Kosovës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve që u mbajtën më 11 qershor dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mënyrën profesionale me të cilën i kryen detyrat e tyre. Gjithashtu u bëj thirrje institucioneve përgjegjëse që t’i marrin seriozisht rekomandimet e Misionit të BE-së për Vëzhgimi e zgjedhjeve dhe t’i zbatojnë ato në mënyrën e duhur”, thuhet në deklaratën e Apostolovës.

Apostolova ka theksuar se Federica Mogherini, shefe e diplomacisë evropiane, këtë javë ka mbajtur në Bruksel një takim jozyrtar me presidentin e Serbisë dhe atë të Kosovës, dhe kjo sipas saj, edhe një herë rikonfirmon angazhimin e BE-së për perspektivën e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së, ku pritet zbatimi pa vonesë i marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut.

“BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë qytetarët e Kosovës. Përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe instrumenteve të lidhura me të, BE-ja ka siguruar një kornizë politike, ekonomike dhe legjislative për reformat që do të nxirren. Përmes mbështetjes së IPA-s, BE-ja siguron ndihmë financiare bujare për të mbështetur këto përpjekje dhe për të rritur përmirësimet në tërë Kosovën. Pa marrë parasysh se kush e formon qeverinë e re, BE-ja pret një përshpejtim dhe zbatim të agjendës për reforma të BE-së. Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. Njerëzit e Kosovës presin një udhëheqje të përgjegjshme që do të bëjë përparime të rëndësishme përgjatë rrugës evropiane. Tani u takon atyre udhëheqësve që ta bëjnë këtë”, ka thënë Apostolova.

Exit mobile version