Site icon Telegrafi

Apostolova: Në bordet e agjencive nuk duhet të ketë njerëz të akuzuar

Shefja e BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, ka thënë sot se BE qëndron afër Kosovës në përmbushjen e kritereve në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe se Kosova nuk mund të mbetet mbrapa në rrugën e saj evropiane.

Ajo gjatë takimit me shefin e grupit parlamentar të AAK-së Ahmet Isufin dhe kryetarin e komisionit për Bujqësi, Daut Haradinaj, shprehu brengosjen e saj rreth mos mbajtjen e seancave plenare të Kuvendit pasi shumë ligje po presin për t’u miratuar.

Apostolova theksoi se në bordet e agjencive të pavarura nuk duhet të jenë njerëzit e akuzuar dhe se numri i tyre duhet të zvogëlohet. Ajo theksoi se lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdoj, pasi është një prej kushteve për liberalizim.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se janë vonuar në disa procese, duke përfshirë edhe agjendën evropiane. Isufi shtoi se ata si parti janë zotuar se do të punojnë që ligjet të plotësohen e ndryshohen që të bëhen me standarde me Aqui Comunitere.

Ndërsa kryetari i Komisionit për Bujqësi, Daut Haradinaj, kërkoi ndihmën e BE-së pasi ende kanë nevojë. Ai tha se Kosova ende nuk ka ligj për bukën dhe shumë ligje tjera, andaj iu duhet ndihma e BE-së.

Haradinaj e quajti kusht të padrejtë demarkacionin për liberalizimin e vizave, derisa e quajti prioritet të lartë shndërrimin e FSK-së në ushtri, për të cilin tha se do të bëhet patjetër.

Exit mobile version