Site icon Telegrafi

Apostolova: BE-ja kërkon tolerancë zero kundër korrupsionit

Shefja e re e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka deklaruar se MSA-ja ka rëndësi ekonomike dhe politike për Kosovën.

Apostolova në diskutimin publik me temën “Progresi në Zbatimin e MSA-së: Sfidat në Agjendën Evropiane dhe Reformat në Sundimin e Ligjit” të organizuar nga Komisioni parlamentar për Integrime Evropiane dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se shtetet e BE-së janë të përkushtuara dhe kanë kritere që Kosova të funksionalizojë shtetin ligjor, funksionimin e kuvendit me tolerancë zero korrupsion, dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të korrupsionit.

“Marrëveshja është një deklaratë që BE-ja dhe shtetet anëtare të saj janë të përkushtuara për Kosovën dhe progresin e saj. Ne duhet ta shohim demokracinë në Kosovë, ne duhet ta shohim sundimin e ligjit të fuqizuar në Kosovë me një kuvend funksional dhe me tolerancë zero për korrupsionin dhe barazinë e të gjithëve para ligjit dhe institucioneve. Sundimi i ligjit është në thelb të marrëveshjes së MSA-së njëkohësisht sundimi i ligjit paraqet sfidat më të mëdha për Kosovën, si: pavarësi e gjyqësorit, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka deklaruar Apostolova, raporton ‘Epoka e re’.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit për Integrime, Njomza Emini, ka thënë se me gjithë simbolikën që ka MSA-ja, fokusi tani duhet të vendoset tek zbatimi dhe përmbushja e obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje.

“Për këto gjashtë muaj të hyrjes në fuqi të MSA-s dhe miratimit të Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së fatkeqësisht bilanci i punës tonë nuk është pozitiv. Na duhet të punojmë shumë më shumë që ta arrijmë objektivat tona dhe të përmbushim obligimin tonë ndaj qytetarëve të vendit, integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Emini.

Exit mobile version