Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Evangelos Apostolakis, ka thënë se Marrëveshja e Prespës duhet të shfrytëzohet për të arritur rezultate më të mira.
I pyetur për temat lidhur me gjuhën dhe nacionalitetin, të cilat shkaktuan reagime në Greqi, Apostolakis, thotë se ato probleme janë më të vogla se ato që zgjidhen me marrëveshjen dhe shton se “ekzistojnë mënyra që më tej të mos krijohen probleme”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Mendoj se të gjithë ne duhet ta marrim parasysh këtë marrëveshje të nënshkruar. Kemi dy opsione: ose të vazhdojmë të luftojmë kundër dhe ta helmojmë popullin me brengosje të tilla të ndryshme, ose ta shfrytëzojmë dhe të kemi rezultat sa më të mirë të mundshëm. Mendimi im është opsioni i dytë”, theksoi ministri i Mbrojtjes i Greqisë.
Apostolakis shtoi se Marrëveshja e Prespës është model që duhet seriozisht të merret parasysh me rezultat të shkëlqyer.
Lidhur me atë nëse Marrëveshja e Prespës mund të funksionojë edhe në marrëdhëniet greko-turke, ministri i Mbrojtjes, tha se “çka do qoftë efektive, mund të shfrytëzohet si model”./Telegrafi/