Nga: Christopher Nehring
Në fshatin e vjetër të peshkatarëve Sozopol në bregdetin bullgar të Detit të Zi, ekziston një rrugë e vogël bregdetare, buzë së cilës janë ngritur të gjitha baret dhe restorantet. Pak prapa portës së vjetër të qytetit, që ndodhet sipër një gjiri deti ka dy stola nën një pemë fiku gjigande e të lashtë. Nën hijen e pemës, vështrimi hapet drejt gjirit të Sozopolit, i cili të çon poshtë në një shkallë guri.
Pushim në plazh dhe festival kulturor – nganjëherë baza e një ideje të mirë është shumë e thjeshtë. Kështu menduan edhe disa artistë bullgarë, kur e konceptuan në vitin 1984, në kohën e Luftës së Ftohtë, në qytetin e vogël Sozopol, 30 minuta në jug të qytetit port të Burgasit dhe rreth një orë në veri të Turqisë, festivalin. Emrin ia vunë sipas perëndisë greke të arteve, Apollon.
Që nga ajo kohë, Apollonia ka përfshirë të gjitha format e krijimtarisë artistike, që nga pikturimi, vallja, teatri, filmi, deri te muzika klasike, xhazi dhe muzika popullore bullgare. Në vitin 2019 duhej të festohej 35-vjetori i festivalit. 35 vjet, gjashtë prej tyre nën regjimin komunist dhe dhjetë të fundit si shtet krenar anëtar i BE.
Edhe shenjtori mbrojtës tërheq vëmendjen – në kohën kur komunistët bullgarë u përpoqën të shfrytëzonin fuqinë mobilizuese të nacionalizmit etnocentrik në vitet 1980 – te një trashëgimi kulturore panevropiane e antikitetit greko-romak. Një emër greko-romak dhe një përmbajtje që duhet të mbushej me kulturë bullgare. A është konsideruar kultura kombëtare nën trashëgiminë panevropiane nga themeluesit si kontradiktë, si protestë e heshtur kundër politikës së mbylljes së kampit socialist apo si shprehje e një “uniteti në diversitet”, siç është motoja e sotme e BE-së, nuk dihet. Ndoshta ishte pak nga të gjitha.
Në këto rrethana nisi Apollonia në 1984, kur Evropa ishte ende e ndarë rreptësisht nga Perdja e Hekurt. Kjo në një kohë kur qendrat turistike në Detin e Zi ishin që nga vitet 1960 vend takimesh panevropiane. Nën çadrat e diellit dhe me nga një birrë përpara, të shoqëruar me peshq të skarës dhe me sallatën e detyrueshme Shopska (me domate, kastravecë, djathë të bardhë), që atëherë evropianët nga Lindja dhe Perëndimi, Veriu dhe Jugu bëheshin bashkë.
Megjithatë, Apollonia mbeti dhe mbetet kryesisht një festival kulturor kombëtar, bullgar. Me rastin e ditëlindjes së tij të 35-të, teksti i shpalljes në faqen e internetit përfundon me deklarimin: “Apollonia – festa bullgare!”. Artistë të huaj dolën vetëm gradualisht në skenë, vizitorë të huaj në shumicën e ngjarjeve sot ende mund të numërohen me gishtat e dorës. Gjuha e Apollonisë është njëgjuhëshe, bullgarishtja, përkthime ose titra nuk ekzistojnë. Në teatër, prozë letrare dhe poezi, film dhe këndim përfaqësohen vetëm artistë bullgarë. Midis tyre sheh nganjëherë edhe emra të tillë të shquar si shkrimtari dhe dramaturgu i përkthyer gjerësisht Georgi Gospodinov.
Mysafirët ndërkombëtarë përfaqësohen kryesisht në fushat e muzikës instrumentale dhe të pikturës, pra në artet jo verbale. Në vitin 2019, ishin për shembull, mjeshtri argjentinas i tangos, Mattias Gonzalez nga Argjentina ose grupi Dixieland nga Ushtria amerikane në Evropë.
Pak para se të nisem me autobus për në Burgas, udhëtim i cili akoma kushton pesë leva (rreth 2.5 euro) si 10 vjet më parë, ulem edhe njëherë në të njëjtin stol, nën të njëjtën fik. Në mënyrë shumë të qartë, një tabelë tregon që ky vend është rinovuar me një projekt bullgaro-turk të infrastrukturës, me fonde të BE-së. Përsëri, një etiketë panevropiane për një përmbajtje kombëtare – dhe përsëri një pasqyrë për shtetin e Evropës.
Apollonia ka mbaruar, një dimension të veçantë evropian të festivalit shumë bullgar unë nuk mund të gjej dhe ndihem as më shumë e as më pak evropian, se 10 vjet më parë në Sozopol. Mbase një simbol i qëndrimit në vend të idesë evropiane, mendoj. Pastaj ngul dhëmbët në të njëjtit peshq të shijshëm të skuqur, pi të njëjtën birrë të butë bullgare dhe shikoj të njëjtin det të bukur. Pra, ndenja në vend nuk është gjithmonë fatkeqësi, nganjëherë ajo ka anën e saj të mirë, qetësuese. Edhe kjo është disi karakterizuese për Evropën në vitin 2019.
(Christopher Nehring, i lindur më 1984, është drejtor shkencor në Muzeun Gjerman të Spiunazhit në Berlin. Ka studiuar historinë e Evropës Lindore dhe të Re në Heidelberg dhe Shën Petersburg dhe ka mbrojtur doktoratën në vitin 2016 për një temë të historisë së shërbimeve të fshehta. Libri i tij më i ri është “77 mitet më të mëdha të spiunazhit”, botuar nga shtëpia botuese “Heyne”)