Telegrafi

Aplikacioni Waze paralajmëron shoferët për rrugët që kanë numër të madh të aksidenteve

Aplikacioni Waze ka marrë një tjetër funksion shumë të dobishëm që do të rrisë sigurinë e përdoruesve të rrugës.

Waze është një nga aplikacionet e navigimit që shumë njerëz e preferojnë për informacione rreth kushteve të rrugëve dhe aksidenteve të mundshme në trafik dhe tani po testohet një tjetër veçori shumë e dobishme që paralajmëron përdoruesit për rrugët ku janë regjistruar një numër i madh aksidentesh. Ky informacion është mbledhur bazuar në të dhënat nga komuniteti Waze.

Versioni beta i aplikacionit Waze paralajmëron për rrugët e afërta që janë me rrezikshmëri të lartë kur bëhet fjalë për aksidente trafiku dhe i shënon me të kuqe në hartë.

Megjithatë, Geektime shkruan se aplikacioni nuk do t’i shënojë ato nëse përdoruesi i përdor shpesh këto rrugë, por tregon vetëm një njoftim pop-up për rrugët e rrezikshme rreth tij për të qenë më i kujdesshëm, por për të shmangur tensionin.

Funksioni është aktualisht në beta, por së shpejti do të shpërndahet për të gjithë përdoruesit e Waze. Ata që nuk e duan, do të kenë mundësinë ta çaktivizojnë në seksionin e cilësimeve të njoftimeve.

Kjo është një nga veçoritë e reja që ka marrë Waze pasi aplikacioni është nën kontrollin e grupit që mbikëqyr gjithashtu Google Maps. /Telegrafi/