Telegrafi

Aplikacion për raportim të mbeturinave

“TrashOut” është aplikacioni më i ri që çdo qytetar i Kosovës mund ta shkarkojë në telefonin e vet. Mjafton të kesh një telefon me sistem android apo ‘të mençur’ dhe të fotografoni çdo vend ku ka mbeturina dhe ta dërgoni atë përmes këtij aplikacioni.

Me këtë aplikacion i cili është lansuar nga Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” po synohet që të krijohet një baze e të dhënave të mbeturinave në Kosovë.

Por, po ashtu të bëhet edhe vetëdijësimi i qytetarëve për kujdesin dhe ruajtjen e mjedisit. Përveç kësaj, iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” po synon edhe të bëjë ndërgjegjësimin e institucioneve që të krijojnë politika më të mirëfillta për mjedisin në Kosovë.

Aplikacioni u lansua sot për nderë të ditës së Tokës dhe me këtë rast koordinatorët e kësaj iniciative, thanë se qëllimi i këtij aktiviteti, është që qytetarët vullnetarisht t’i identifikojnë vendet me mbeturina kudo që janë në Kosovë dhe pastaj bashkërisht me këtë iniciativë, ta përcaktojnë volumin e sasisë së këtyre mbeturinave dhe rrezikshmërinë që e paraqesin ato për qytetarët.

Luan Hasanaj, koordinator i “Ta Pastrojmë Kosovën”, tha se përmes këtij aplikacioni do të mund të dinë saktë se ku gjinden mbeturinat. “Në këtë vit aktiviteti jonë kryesor është krijimi i një baze të të dhënave të mbeturinave në Kosovë. Brenda një muaji synojmë ta krijojmë bazën e të dhënave të mbeturinave në Kosovë. Lëvizja ‘Let’s do it World’ e ka ofruar një aplikacion i cili është shumë i thjeshtë të përdoret dhe përmes tij grupi vullnetar i ‘Ta Pastrojmë Kosovën’, mirëpo edhe qytetarët të vullnetit të mirë ne i ftojmë që ta përdorin këtë aplikacion dhe të na ndihmojnë edhe neve që ne fund të këtij procesi ta kemi një pasqyrë të qartë të bazuar në fotografi dhe të dhëna të sakta në mënyrë që të ju ofrojmë komunave një bazë të saktë se ku gjinden mbeturinat”, tha Hasanaj.

Për problemin e mbeturinave koordinatori Luan Hasanaj përveç institucioneve fajësoi edhe qytetarët për pakujdesin që po tregojnë, por sipas tij institucionet janë ato që duhet të marrin hapin e parë përmes implementimit të ligjit që ky problem të zgjidhet.
“Në mesin e shumë e shumë takimeve qoftë me institucione, qoftë me qytetarë kemi arritur në një përfundim se institucionet ankohen se qytetarët janë të papërgjegjshëm e në anën tjetër edhe qytetarët ankohen se institucionet nuk po i kryejnë detyrat ashtu siç duhet. Ne mendojmë që është një problem i paqëndrueshëm. Një pjesë të fajit e kanë edhe vet qytetarët, por janë institucionet ato që duhet të ndërmarrin hapin e parë dhe kryesorë që ky problem të zgjidhet. Duke filluar me implementimin e ligjit dhe rregulloreve për mbrojtjen e mjedisit, por në anën tjetër edhe në krijimin e infrastrukturës së nevojshme për mjedisin, çka do të thotë të fillojnë me riciklimin e mbeturinave në Kosovë”, tha Hasanaj.

Aplikacioni “TrashOut” mund të shkarkohet përmes faqeve zyrtare dhe të rrjeteve sociale të iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën” dhe Lëvizjes “Let’s do it Kosova”, e po ashtu në televizione janë duke u lansuar reklama vetëdijesuese se si duhet të përdoret ky aplikacion. /Telegrafi/