Site icon Telegrafi

Apeli vërteton lirimin e Daut Goranit nga akuzat lidhur me rastin “Stenta 2”

Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke e vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, në rastin “Stenta 2” të datës 04.12.2023.

Në këtë aktgjykim, Gjykata Themelore kishte liruar të akuzuarin Daut Goranin nga akuza për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, si dhe për marrjen e ryshfetit, pasi që sipas gjykatës, nuk ishte provuar se i pandehuri kishte kryer veprat për të cilat akuzohej.

Gjykata e Apelit, duke vlerësuar pretendimet e prokurorisë, ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm.

“Kolegji gjykues ka konstatuar se drejtë dhe në mënyrë të plotë është vërtetuar gjendja faktike dhe se aktgjykimi me të cilin i pandehuri është liruar nga akuza është i drejtë dhe i ligjshëm,” thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Gjithashtu, gjykata ka vlerësuar si të pabazuara pretendimet e prokurorisë për shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe të ligjit penal. “Aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë,” shtohet në njoftim.

Me këtë vendim, Gjykata e Apelit ka konfirmuar lirimin e Daut Goranit nga akuza për rastin “Stenta 2” duke përmendur se nuk është provuar se ai ka kryer veprat penale të cilat ishin objekt i hetimeve dhe akuzave të ngritura ndaj tij.

Aktgjykimin e plotë e gjeni KËTU. /Telegrafi/

Exit mobile version