Site icon Telegrafi

Apeli vërteton dënimin me 35 vjet burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e bashkëshortes me sëpatë

Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtëses së të akuzuarit Izet Godeni, avokates Myrvete Hashani-Jashari, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin më 17 prill 2024, Godeni u dënua me 35 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes me sëpatë.

Aktgjykimi i Apelit është marrë më 4 korrik 2024 nga kolegji i përbërë nga gjykatësit Xhevdet Abazi (kryetar) dhe anëtarët Hashim Çollaku dhe Kadrije Goga-Lubishtani.

Në vendimin e Apelit, thuhet se kundër aktgjykimit të shkallës së parë ankesë ka ushtruar mbrojtësja e Godenit, avokatja Hashani-Jashari, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljeve të Ligjit Penal, për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal dhe për shkak të shpenzimeve të procedurës penale.

Hashani-Jashari kishte propozuar që ankesa të aprovohet si e bazuar dhe aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të anulohet, ashtu që çështja penale t’i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim e vendosje ose i njëjti të ndryshohet, ashtu që të hudhet aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ndaj të akuzuarit të pushohet procedura penale.

Kurse, Prokuroria e Apelit kishte propozuar që aktgjykimi i Themelores të vërtetohet.

Apeli gjen se dispozitivi i aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, është i qartë, i kuptueshëm dhe në harmoni me vetveten, si dhe me arsyet e dhëna në aktgjykim.

Sipas Apelit, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, përfshinë të gjitha faktet vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale të “Vrasjes së rëndë”, e që me procedimin dhe vlerësimin e të gjitha provave materiale e personale, rezulton se i akuzuari e ka kryer këtë vepër penale, e për këtë është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënimi me 35 vjet burgim.

Në këtë çështje penale, Apeli vlerëson se pasi që është pranuar ekspertiza e Institutit të Forenzikës, janë ndërmarrë veprimet brenda afateve të duhura ligjore, që nënkupton se nuk është shkelur asnjë nga dispozitat ligjore sikurse referohet nga mbrojtësja e të akuzuarit.

Aty thuhet se sipas ekspertizës, nuk janë gjetur elementet e natyrës psikiatrike dhe psikologjike që kanë mundur të ndikojnë në aftësinë për të vepruar dhe konstatuar veprimet e të akuzuarit e që i njëjti mund të marrë pjesë në seancë gjyqësore.

“I akuzuari ka qenë i vetëdijshëm, e ka kuptuar shumë mire veprën të cilën e ka kryer, mënyrën e kryerjes, veprimet të cilat i ka ndërmarrë edhe pas kryerjes së të njëjtës, se në atë periudhë nuk ka shfaqur keqardhje, dhe se gjatë intervistimit në IPKF, ka deklaruar në detaje për mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe e ka përshkruar në tersi të njëjtën”, thuhet në vendim.

Andaj, Apeli vlerëson se nga provat materiale dhe personale në mënyrë të padyshimtë vëretohet se në veprimet e të akuzuarit formulohen elementet qenësore të veprës penale “Vrasje e rëndë” dhe se aktgjykimi i shkallës së parë është punuar në kuptim të dispozitës ligjore të Kodit të Procedurës Penale.

Gjithashtu, thuhet se nga ana e gjykatës së shkallës së parë, në mënyrë të veçantë dhe të qartë janë vlerësuar, saktësia e provave kundërthënëse, të cilat janë sqaruar dhe gjykata ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me të gjitha propozimet e ngritura në zgjidhjen e çështjes dhe ka dhënë arsye për miratimin apo mosmiratimin e të njëjtave, sepse zgjidhjen e çështjes juridiko-penale e ka bazuar në vërtetimin e ekzistimit të së njëjtës, dhe përgjegjësisë penalo-juridike të të akuzuarit.

Apeli më tej thekson se aktgjykimi i Themelores nuk përfshihet në shkelje të Ligjit Penal, ngase të akuzuarit i është shqiptuar dënimi përkatës i paraparë me ligjin e aplikueshëm.

“Gjithashtu, kolegji vije në përfundim se pasi që janë vërtetuar elementet qenësore të veprës penale për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor, duke vlerësuar aktgjykimin si tërësi sipas ankesës së ushtruar, si dhe shkresat e tjera të lëndës, ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale nuk ka gjetur arsye se i akuzuari të përjashtohet nga përgjegjësia penale, si dhe ndjekja penale, se gjatë gjykimit është aplikuar ligji i cili ka qenë i aplikueshëm në kohën e kryerjes së veprës penale dhe vendimet të cilat janë marrë në këtë çështje penale, e sidomos vendimi për dënimin është marrë në kuadër të dispozitës ligjore, sa i përket karakterit sanksionues”, thuhet në vendimin e Apelit.

Po ashtu, sa i përket vendimit lidhur me sanksionin penal, Apeli gjen se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përfshihet në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale sepse gjendja është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.

“…andaj gjykata e shkallës së parë, me rastin e marrjes së vendimit për dënimin, caktimit të llojit dhe lartësisë së tij, ka vlerësuar të gjitha rrethanat e parapara në nenin 69 dhe 70 të KPK, kurse si rrethanë lehtësuese e ka pasur parasysh se i akuzuari është i moshë së shtyrë, se për të akuzuarin është kujdesur ish bashkëshortja e ti, se i njëjti nuk ka qenë i punësuar, kurse si rrethana rënduese ka vlerësuar mënyrën e kryerjes së veprës penale si dhe shkallën e intensitetit të kryerjes së të njëjtës”, thuhet më tej në vendim.

Në fund, thuhet se Kolegji është i bindur se me dënimin e shqiptuar ndaj të akuzuarit, do të arrihet efekti dhe qëllimi i tij, që të parandalojë kryerësit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tyre, të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale, të bëjë kompensimin e viktimave ose të komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara nga vepra penale dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit, të paraparë në nenin 38 të KPK-së.

Ndryshe, në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 qershor 2023, e kishte dënuar me 25 vite burgim Godenin për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Por, Gjykata e Apelit më 26 shtator 2023 e kishte kthyer çështjen në rigjykim, me arsyetimin se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është i përfshirë në shkelje esenciale të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Konkretisht, në vendimin e Apelit thuhet se mbrojtësja e të akuzuarit Godeni, avokatja Myrvete Hasahni nuk ka qenë e pajtimit për pranimin e veprës penale nga i akuzuari dhe se klienti i saj nuk është konsultuar mjaftueshëm lidhur me pranimin e fajësisë. Andaj, sipas Apelit pranimi i fajësisë nga i akuzuari Godeni është bërë jashtë normave ligjore dhe se nuk është mbështetur në të gjitha faktet dhe çështjet që përmban aktakuza.

Kurse, në rigjykim më 17 prill 2024, Themelorja e dënoi Godenin me 35 vjet burgim.

Sipas aktakuzës, thuhet se më 25 nëntor 2022 rreth orës 4:00, në mënyrë mizore Izet Godeni me sëpatë kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij S.G.

Andaj, me këto veprime Izet Godeni ngarkohej për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 dhe 1.4 e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton betimiperdrejtesi.

Exit mobile version