Gjykata e Apelit në Prishtinë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq , i cili ishte arrestuar si i dyshuar për “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.
Sipas një njoftimi për media, thuhet se Gjykata e Apelit, e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të pandehurit B.D.
Në njoftim thuhet se Dejanoviqit i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe ndaj tij është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.
“Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 08.04.2021, është ndryshuar. Të pandehurit i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe ndaj tij, është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej një muaji, e cila do të zgjas deri më 23.05.2021. B.D. që është kryetar i Komunës së Kllokotit, po dyshohet nga ana e Prokurorisë Speciale, se ka kryer veprën penale ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’ nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjykata e Apelit, pasi shqyrtoj të gjitha rrethanat, vlerësoi se edhe me caktimin e masës së arrestit shtëpiak mund të arrihet qëllimi i kërkuar me ligj”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në muajin mars kishte njoftuar për arrestimin e kryetarit të komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq, i dyshuar për “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”. /Telegrafi/