Telegrafi

Apeli rrëzon kërkesën e Prokurorisë – Enca nuk rikthehet në burg, do të hetohet e lirë për vazot me kanabis që mbolli në vilë

Foto: Screenshot/Instagram

Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë e cila kërkoi që këngëtarja Enca Haxhia të rikthehej në burg teksa hetohet për kultivimin e 5 bimëve kanabisi në ballkonin e vilës së saj.

Këngëtarja qëndroi 2 netë në paraburgim, pasi u arrestua nga efektivët, por Gjykata e Tiranës vendosi ta lirojë duke i vendosur masën e ‘detyrimit për tu paraqitur’. Hetuesit ndryshe nga gjykata kërkuan që këngëtarja të hetohej duke qëndruar në qeli në masë arresti me burg. Gjykata e Apelit nuk pranoi ankimin për caktimin e masës të “arrestit në burg”, pasi Prokuroria hoqi dorë nga akimi.

Ndërsa kërkesa e Encës për ta vlerësuar të paligjshëm arrestimin e saj është rrëzuar, pasi ankimi është ushtruar jashtë afatit ligjor.

Foto: Screenshot/Instagram

Këngëtarja u arrestua më 14 shtator, nga policia pasi në vilën e saj në periferi të Tiranës iu gjetën 5 vazo të mbjella me kanabis sativa që po rriteshin qetësisht në ballkonin e shtëpisë. Lënda narkotike ishte e varietetit 3 mujor, ndërsa kishte arritur në gjatësi rreth 1 metër dhe ishte gati afër pjekjes. Enca tha se i kishte mbjellë vetëm për kureshtje duke shtuar se njëkohësisht është përdoruese e drogës.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Enca Haxhia

Një verifikim me analiza laboratorike do të faktojë shkencërisht nëse këngëtarja është apo jo përdoruese hashashi, siç ka pretenduar.

Nëse do të shpallet fajtore, ajo rrezikon nga 3 deri në 7 vite burg, për kultivim të lëndëve narkotike, pasi Kodi Penal ka mangësi dhe nuk ka ndarje sipas sasisë së kultivuar, duke sjellë për rrjedhojë që një i pandehur i gjetur fajtor, të dënohet nën të njëjtat kushte, si këngëtarja me 5 bimë, ashtu edhe një kultivues me parcela kanabisi.

Njoftimi i Gjykatës:

Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Nga e ana e Policisë është marrë informacion, se në ambjentet e vilave pas Qëndrës Tregtare TEG, po kultivohen bimë Cannabis Sativa, e dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale është shtetësia me iniciale R.H.

Prokuroria prane Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest ne burg”, ndaj personit nën hetim me iniciale R.H, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kultivimi i bimëve narkotike”, të parashikuar nga neni 284/1 Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Tiranë me vendimin nr. 2067 Akti, datë 14.09.2023, ka vendosur:

– Vleftesimin si te ligjshem te “arrestit ne flagrance” te personit nen hetim R. H. dhe caktimin ndaj saj si mase sigurimi ate te “Detyrimit per paraqitje ne Policine Gjyqesore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr. Penale.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve:

– Nga personi nën hetim me iniciale R.H, i cila kërkoi ndryshimin e vendimit, vlerësimin si të paligjshëm të arrestimit dhe rrëzimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit personal.

– Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridksionit të Përgjithshëm Tiranë , i cili kërkoi prishjen e vendimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues atë të “arrestit në burg”.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 03.10.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar znj. Elona Mihali, vendosi:

– Mospranimin e ankimit te Prokurorise te ushtruar ndaj vendimit nr. 2067 akti, date 14.09.2023 te Gjykates se Shkalles se Pare te Juridiksionit te Pergjithshem Tirane per shkak te heqjes dore nga ankimi nga ana e Prokurorise.

– Mospranimin e ankimit te personit nen hetim Ruensa Haxhiaj te ushtruar ndaj vendimit Nr.2067 , date 14.09.2023 te Gjykates se Shkalles se Pare te Juridiksionit te Pergjithshem Tirane per shkak se ankimi eshte ushtruar jashte afatit ligjor. /Shqiptarja 

Foto: Screenshot/Instagram