Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale në rastin e të akuzuarve Hysni Hoxha dhe dy të tjerëve, Hysni Muhadi dhe Arsim Robelli.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 27.11.2017, është vërtetuar.
Sipas këtij aktgjykimi, H.H. dhe H.M. janë liruar nga akuza për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar në bashkëkryerje”, ndërsa A.R. për “Falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje”.
Ky vendim ishte marrë pasi që gjykata e shkalles së parë kishte konstatuar, se me provat e proceduara në seancën e shqyrtimit gjyqësor, nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilat janë akuzuar.
Këtë konstatim e përkrah edhe Gjykata e Apelit, e cila po ashtu nuk gjen ndonjë shkelje nga ato që pretendohen në ankesën e prokurorisë.