Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka vendosur që të refuzoj si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit N.M., ndërsa është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjilan.
“Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Gjilan, i akuzuari N.M. është shpallur fajtor për shkak të veprës penale vrasje e rëndë, nga neni 173, paragrafi 1., nën-paragrafi 1.3. të KPRK dhe për shkak të kryerjes së kësaj vepre penale, ndaj të akuzuarit është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 25 (njëzetëpesë) vjetëve”, thuhet në njoftim.
Të akuzuarin N.M. e ka obliguar që t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të gjykatës, ndërsa, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 100 (njëqind) €, si dhe shumën prej 50 (pesëdhjetë) €, në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. /Telegrafi/