Një kolegj penal prej tre gjyqtarësh nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit e ka miratuar ankesën e prokurorisë, kundër një aktgjykimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas të cilit e akuzuara E.R-S, ishte shpallur fajtore dhe ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht.
Gjykata e Apelit ka njoftuar se ka vendosur që aktgjykimi në fjalë të ndryshohet vetëm sa i përket vendimit mbi dënim, dhe e gjykoj të akuzuarën me 1 vjet e 6 muaj burgim efektiv.
“E.R-S. ishte gjetur fajtore për veprën penale: Keqpërdorim i pozitës, apo autoritetit zyrtar. Kolegji ka konstatuar se gjykata e shkallës se parë me rastin e shqiptimit të dënimit, nuk i ka vlerësuar mirë të gjitha rrethanat, kur kihet parasysh pesha e veprës penale, rrezikshmëria shoqërore e saj dhe mënyra se si është kryer, pasi që e pandehura, duke qenë kryeinfermiere në një repart të QKUK-së, ka marr albumina pa përshkrimin e terapisë nga mjekët, ka ndërhyrë në historinë e pacienteve, duke shënuar se të njëjtit i kanë marrë albuminat, duke shënuar inicialet e infermiereve te cilat fare nuk kanë qenë në ndërrim dhe kështu drejtpërdrejtë ka rrezikuar shëndetin e pacienteve, si dhe ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës- Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 28 mijë euro”, thuhet në njoftim.