Telegrafi

Apeli liron nga aktakuza Haki Rugovën, i cili u dënua nga gjykata e shkallës së parë me 1 vit burgim për korrupsion

Gjykata e Apelit e ka liruar nga aktakuza ish-kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova, i cili nga Gjykata Themelore në Pejë ishte dënuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 1 viti, për konflikt interesi në nënshkrimin e tenderit për vëllanë e tij.

Në njoftimin për media thuhet se Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka vendosur që me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit, duhet që të ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë, PAKR.nr.326/2021, të datës 12 nëntor 2021, ashtu që i akuzuari H.R. është liruar nga akuza.

Lexo po ashtu Haki Rugova shpallet fajtor, dënohet me 1 vit burgim efektiv

Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Pejë, i akuzuari H.R. ishte shpallur fajtor për shkak të veprës penale konflikti i interesit, nga neni 424, paragrafi 2. lidhur me paragrafin 1 të KPRK dhe ndaj të akuzuarit për shkak të kësaj vepre penale ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti, i cili dënim do të ekzekutohej pasi që ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë.

Rugova akuzohej se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014  ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë. /Telegrafi/