Telegrafi

Apeli kthen në rigjykim rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt

Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka aprovuar ankesën e prokurorisë në rastin e të akuzuarit Naser Pajazitaj.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë i datës 06.03.2018, është anuluar dhe lënda i është kthyer se njëjtës në rigjykim dhe rivendosje.

Me anë të këtij aktgjykimi, i akuzuari në fjalë është liruar nga akuza për veprën penale: “Vrasje e rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, pika 1.4 dhe 1.12 e Kodit penal të Republikës së Kosovës. Ndërsa është shpallur fajtor për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i këtij kodi, për të cilën ishte dënuar me 2 vjet e 4 muaj burgim.

Lexo po ashtu Familjarët e Donjeta Pajazitajt presin që rasti të kthehet në rigjykim

Kolegji prej tre gjyqtarësh i kësaj gjykate, ka gjetur se pretendimet ankimore lidhur me vërtetimin jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike, janë të bazuara, ngase provat e administruara, nuk janë vlerësuar në mënyrë të drejtë, prandaj edhe vlerësimet qe ka nxjerrë gjykata e shkallës së parë janë të gabuara.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të këtij viti, e ka shpallur Naser Pajazitin të pafajshëm në akuzën për vrasjen e Donjeta Pajazitin në vitin 2015, ndërsa, e ka dënuar me 2 vjet e 4 muaj burg në akuzën tjetër për armëmbajtje pa leje.

Donjeta Pajaziti ishte gjetur e vdekur në bjeshkët e Strellcit të Deçanit në dhjetor të vitit 2015, gjashtë javë pasi ishte raportuar e zhdukur nga familjarët. /Telegrafi/