Site icon Telegrafi

Apeli kthen në rigjykim rastin e vrasjes së 18-vjeçarit në Podujevë

Gjykata e Apelit ka kthyer për rigjykim çështjen e vrasjes së 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu në Podujevë. Ky vendim anulon aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin i mituri i parë ishte dënuar me 10 vjet burgim dhe i mituri i dytë me 9 vjet burgim.

Aktgjykimi i Apelit është marrë më 17 korrik 2024, me të cilin ka aprovuar si të bazuara ankesën e mbrojtësit të të miturit të parë, avokatit Skender Musa dhe mbrojtësit të të miturit të dytë, avokatit Florent Latifaj.

Sipas vlerësimit të kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, qëndron pretendimi i avokatit Musa se kryetarja e trupit gjykues, Lumnije Krasniqi ka qenë gjyqtare e procedurës paraprake në të njëjtin rast penal.
Apeli vlerëson se gjyqtarja Krasniqi është dashur të përjashtohet nga gjykimi i kësaj çështjeje penale.

Në vendimin e Apelit theksohet se gjykatësja për të mitur në fazat paraprake ka marrë pjesë në këtë çështje penale në procedurën përgatitore, duke ua caktuar dhe vazhduar masën e paraburgimit dy të miturve. Aty thuhet se e njëjta me rastin e vendosjes në këtë çështje penale ka marrë pjesë dhe ka vendosur në cilësinë e kryetares së trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithnjë sipas këtij vendimi, edhe pse në Kodin e Drejtësisë për të Mitur nuk rregullohet specifikisht kjo çështje, përshtatshmërisht zbatohen dispozitat e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

Sipas Apelit, bazuar edhe në mendimin juridik të Gjykatës Supreme, thuhet se nuk mund të jetë gjyqtari i vetëm gjykues, anëtar i trupit gjykues, kryetar i trupit gjykues në gjykatën e shkallës së parë, gjyqtari i cili ka caktuar/vazhduar masën e paraburgimit.

Lexo po ashtu Vrasja e 18-vjeçarit në Podujevë - 19 vjet burgim së bashku për dy të pandehurit

Gjithnjë sipas këtij vendimi, aktgjykimi i shkallës së parë përfshihet në shkelje të natyrës absolute për faktin se kemi vlerësim dhe konstatim të gjendjes faktike para nxjerrjes dhe vlerësimit të provave.

Apeli vlerëson se aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë edhe në shkelje tjera, pasi që me rastin e hapjes së shqyrtimit gjyqësor, nuk kanë qenë prezent palët në procedurë, prania e të cilave kërkohet sipas ligjit. Pra, kanë munguar pala e dëmtuar dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar.

Në vendimin e Apelit thuhet se dispozitivi i vendimit të Themelores është i paqartë dhe kundërthënës, pasi që në dispozitiv janë përfshirë ngjarje dhe përshkrime që nuk kanë të bëjnë fare me ditën kritike, duke stërngarkuar dhe ekzagjeruar rrethanat që nuk kanë të bëjnë me veprimet inkriminuese të të miturve.

Përshkrimi i gjendjes faktike në dispozitiv të aktgjykimi të ankimuar, sipas Apelit në raport me përgjegjësinë penale të të miturve ka kundërthënie me vërtetimin e përgjegjësisë penale dhe zbatimin e drejtë të Kodit Penal.

Në këtë vendim, thuhet se gjendja faktike e përshkruar në dispozitiv të vendimit është në kundërshtim me cilësimet e veprimeve të tyre, duke filluar nga marrëveshja paraprake dhe dashja e të miturve për kryerjen e veprës penale.

“…pra shtrohet pyetja se si mund të jepet arsyetim dhe vlerësim lidhur me konstatimin se e godet njëherë me grusht dhe njëherë me shqelm, apo konstatimi tjetër se derisa i mituri… e ndan të miturin … nga goditja e vazhdueshme, apo kundërthëniet e mëpastajme të pasqaruara se si pasojë e cilave goditje ka ndërruar jetë tani i ndjeri…”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Më tej, Apeli vlerëson se nuk është gjetur i bazuar pretendimi i avokatit Musa se gjykimi është mbajtur me dyer të hapura, pasi që në çdo procesverbal është konstatuar se seanca është e mbyllur për publikun.

Gjithashtu, shkalla e dytë ka gjetur se nuk qëndron edhe pretendimi se palëve se nuk iu dhënë mundësia e prezantimit të propozimeve dhe ajo e dhënies së mbrojtjes, pasi që në procesverbale të seancave të mbajtura vërehet se janë aprovuar propozime të avokatit Musa.

Të pabazuar, Apeli e gjen edhe pretendimin lidhur me aftësinë e të miturit të parë për t’u përgjigjur lidhur me veprimet e tij, pasi që nga raporti psikologjik është konstatuar se nuk ka vërejtje dhe se edhe edhe mbrojtja nuk e ka kontestuar këtë raport.

Apeli ka rekomanduar që Themelorja në rigjykim t’i eliminojë shkeljet esenciale të procedurës penale, duke bërë një përshkrim të qartë të dispozitivit të aktgjykimit, duke dhënë arsye konkrete, të qarta dhe bindëse.

Ndryshe, Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 23 maj 2024 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të miturve lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë. I mituri i parë u dënua me 10 vjet burgim, kurse i mituri i dytë u dënua me 9 vjet burgim.

Më 20 janar 2024, 18-vjeçari, L.F., kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, e më pas është ricilësuar në “Vrasje e rëndë”. Përleshja mes viktimës dhe dy të miturve kishte ndodhur më 15 janar.

Sipas Prokurorisë, dy të miturit e kishin goditur 18-vjeçarin me shkop, duke shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 25 mars 2024 kishte përpiluar propozimin për shqiptimin e dënimit me burgim për të mitur, ndaj dy të miturve për veprën penale “Vrasje rëndë” nga neni 173, par.1, pika.1.4 dhe 1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Exit mobile version