Telegrafi

Apeli kthen në rigjykim dhe rivendosje çështjen penale të rastit të Sokol Bashotës

Gjykata e Apelit, e ka kthyer n rigjykim dhe rivendosje çështjen penale kundër të akuzuarve S.B dhe E.B.

“Vendimi u more më rastin e ankesave të mbrojtësve të akuzuarve kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë, por edhe sipas detyrës zyrtare.
Gjykata Themelore në Pejë, me aktgjykimin e datës 29.05.2019, i kishte shpallur fajtor të akuzuarit S.B. dhe E.B. për shkak të veprës penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave e dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 437 par.2 lidhur me nenin 81 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe i kishte gjykuar ata me dënim burgimi me kusht në kohëzgjatje prej 6 muaj si dhe dënim me gjobë në të holla në shumë prej 1000 euro”, thuhet në njoftimin për media.

Gjykata e Apelit, pasi ka shqyrtuar më vëmendje aktgjykimin e shkallës së parë, ankesat e mbrojtësve të akuzuarve si dhe shkresat e lëndës, ka ardhur në përfundim se aktgjykimi është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 nën. par 1.12 e lidhur me nenin 370 par.6 dhe 7 të Kodit të Procedurës Penale, pasi që aktgjykimi është në kundërshtim me arsyetimin, gjykata nuk ka dhënë arsyet për faktet vendimtare ndërsa ato që janë dhënë janë të paqarta dhe të pa mjaftueshme për të vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë gjendjen faktike. /Telegrafi/