Site icon Telegrafi

Apeli i kthen në gjyq ish-drejtuesit e Telekomit

Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, në rastin e të akuzuarve E.Q.,A.M. dhe R.Gj.

Të tre këta akuzohen për veprën penale: ”Keqpërdorim  i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Në njoftim thuhet se Apeli e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 07.01.2019, në atë mënyrë që, kërkesat e mbrojtësve për hedhje të aktakuzës janë refuzuar, ndërsa procedura tani në këtë çështje juridiko penale, vazhdohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor.

Ish kryetari i bordit të Telekomit, Rexhë Gjonbalaj dhe dy ish kryeshefët e kësaj kompanie publike Agron Mustafa e Ejup Qerimi do të duhet të dalin para gjyqit për t’u përballur me akuzat e prokurorisë, pavarësisht një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Themelore për ta hedhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Gjykata e Apelit konstaton se në bazë të shkresave të lëndës, në rastin konkret ka prova të mjaftueshme nga të cilat rezulton dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer veprën penale në fjalë.

Andaj gjykata e shkallës së parë obligohet të vazhdoj më tutje më procedim penal, të administroj provat, e pastaj ta marr një vendim të drejtë dhe të ligjshëm.

 

Exit mobile version