Site icon Telegrafi

Apeli ia zbret në 11 vjet burgimin Gavriqit që tentoi të kryejë sulm terrorist në Prishtinë

Gjykata e Apelit bëri të ditur se ia ka ulur për dy vite dënimin të dënuarit për terrorizëm.

Bëhet fjalë për serbin Slobodan Gavriq i cili në dhjetor të 2014-së ishte zënë me 23 qese eksploziv.

Lexoni të plotë njoftimin e Gjykatës së Apelit:

“Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka aprovuar pjesshëm me 15.11.2016, ankesat e mbrojtësve të akuzuarit S.G. Aktgjykimi i  Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 29.06.2016, është ndryshuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënim. S.G është dënuar me 11 vjet burgim, për veprën penale: Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, nga 13 sa ishte dënuar në shkallë të parë. Pjesa tjetër e aktgjykimit ka mbetur e pa ndryshuar.

Gjykata e Apelit, i ka pranuar vlerësimet e  rrethanave relevante për matjen e dënimit, të gjykatës se shkallës se parë, por ka gjetur  se në pranimin e rrethanave lehtësuese të aplikuara,  ka vend për shqiptimin e dënimit më të butë, duke pasur parasysh faktin se i akuzuari me pranimin e veprimeve inkriminuese, ka kuptuar pasojat e veprimit të tij.

Pretendimet tjera të mbrojtjes janë refuzuar si të pa bazuara”. /Telegrafi/

Exit mobile version