Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të marrë më 9 tetor 2023, me të cilin Xhafer Bardhi është dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën se si rezultat i një mosmarrëveshjeje pronësore ka privuar nga jeta 15-vjeçarin A.M., dhe prindin e tij B.M. Kurse, djali i tij Amir Bardhi, është liruar nga akuza.
Ndaj aktgjykimit të Themelores, ankesë kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë përkitazi me pjesën liruese, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së Ligjit Penal.
Prokuroria ka propozuar që aktgjykimi i ankimuar përkitazi me të akuzuarin Amir Bardhi të anulohet dhe çështja të kthehet në rivendosje.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Xhafer Bardhi, avokati Haxhi Millaku, ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit për dënim.
Millaku kishte propozuar që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rivendosje, apo të ndryshohet dhe i akuzuari të shpallet fajtor sipas propozimit në ankesë dhe t’i shqiptohet dënim më i butë me burgim.
Po ashtu, përgjigje në ankesën e Prokurorisë, ka paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit Amir Bardhi, avokati Agron Hoti, me propozim që të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i ankimuar për pjesën liruese të vërtetohet.
Andaj, Gjykata e Apelit më 1 mars 2024, ka marrë vendim me të cilin ka refuzuar si të pabazuara: ankesën e Prokurorisë dhe avokatit Millaku, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Themelores. Kurse, ankesa e të dëmtuarës S.M., përkitazi me pjesën liruese, është hudhur si e palejuar.
Apeli vlerëson se nuk ka shkelje të dispozitave të procedurës penale, të cilat do ta kushtëzonin anulimin e aktgjykimit të ankimuar dhe atë si për pjesën dënuese ashtu, edhe për pjesën liruese.
Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme e të argumentuara si për pjesën dënuese dhe për pjesën liruese të aktgjykimit të ankimuar.
Shkalla e dytë vlerëson se kur është fjala për pjesën dënuese për të akuzuarin Xhafer Bardhi, dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, dhe se është në përputhje me arsyetimin.
Po ashtu, edhe për pjesën liruese për të akuzuarin Amir Bardhi, Apeli vlerëson se Themelorja ka përfshirë provat, duke përfshirë këtu edhe deklaratat e të dëmtuarve- dëshmitarëve okularë, ku nuk vërtetohet se i akuzuari Amir ka ndërmarrë çfarëdo veprimi konkret inkriminues, që do të ndikonte thelbësisht në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, sikur që pretendon Prokuroria në ankesë.
“Po ashtu, kur është fjala për pjesën dënuese, në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar, përveç, që janë përshkruar të gjitha veprimet inkriminuese të akuzuarit, përkitazi me mënyrën se si është kryer vepra penale në fjalë, po ashtu, janë përshkruar edhe veprimet inkriminuese që përbëjnë formën cilësuese të veprës penale të vrasjes, pra, bëhet fjalë për vrasje të rëndë të kryer ndaj një të mituri, se me këtë rast përveç, që janë privuar nga jeta dy persona, po ashtu, është rrezikuar edhe jeta e personave të tjerë-pra, të dëmtuarve V. M, D. M. dhe V. M”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.
Më pas, thuhet se janë përshkruar edhe veprimet inkriminuese të të akuzuarit të ndërmarra në momentin kritik të kryerjes së veprës penale, por edhe veprimet tjera përkitazi me motivin e kryerjes së veprës penale dhe faktet dhe rrethanat që edhe i kanë paraprirë kryerjes së veprës penale.
Aty thuhet se është vërtetuar se deri tek ngjarja kritike ka ardhur për shkak të mosmarrëveshjeve rreth pronësisë së malit, ku i akuzuari ka pretenduar se tani të ndjerët A. M. dhe B. M., por, edhe të dëmtuarit po merrnin drunj në malin e të akuzuarit, kurse të dëmtuarit së bashku me tani të ndjerët kanë konsideruar se janë duke prerë dhe marrë drunj në malin e shtetit.
Apeli thekson se vrasja është kryer me dashje direkte, e jo sikur që pretendon mbrojtësi i të akuzuarit se bëhet fjalë për vrasje të kryer në gjendje të afektit mendor apo edhe nga pakujdesia.
“…gjykata e shkallës së parë, ka dhënë arsye të mjaftueshme se përse, nuk mund të bëhet fjalë për vrasje të kryer nën ndikimin e tronditjes së fortë mendore, kur, i akuzuari nuk ka qenë i kanosur, por, as i sulmuar nga të dëmtuarit, por, as nga tani të ndjerët B. M. dhe A. M, por, pa mëdyshje është vërtetuar se ditën kritike i akuzuari Xh. B., ka ndërmarrë veprime konkrete inkriminuese në drejtim të kryerjes së veprës penale për të cilën edhe është shpallur fajtor si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar”, thuhet më tej.
Gjithnjë sipas Apelit, në vendimin e Themelores është arsyetuar se me asnjë provë në shkresat e lëndës nuk është vërtetuar se i akuzuari Amir Bardhi të ketë marrë ndonjë veprim inkriminues në bashkëkryerje me babanë e tij.
“Nuk mund të vërtetohet se i akuzuari A. B., në çfarëdo, mënyre ka kontribuar në kryerjen e veprës penale nga i akuzuari Xh. B., ngase, kur, është fjala për dritat, që pretendohet se të dëmtuarit kanë vërejtur dy drita, asnjëri e as tjetri nuk vërtetojnë se çka, konkretisht ndërmori i akuzuari A. B., që të konsiderohet si kontribut thelbësor në kryerjen e veprës penale me të akuzuarin Xh. B., ngase, drita në kokë kishte edhe vetë i akuzuari Xh. B., prandaj, edhe nuk ka pasur nevojë për dritën e të akuzuarit A. B., i cili po ashtu, supozohet ta ketë pasur dritën në kokë”, thuhet në vendim.
Më tej, sipas Apelit, asnjë fakt nuk ka ngelur i dyshimtë apo i pavërtetuar nga shkalla e parë, pasi vlerëson se ka dhënë arsye të qarta për vendin, kohën dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe po ashtu edhe për mënyrën se si ka ardhur deri te kryerja e veprës.
Sipas Apelit, nuk qëndrojnë as pretendimet ankimore përkitazi me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje të Ligjit Penal.
Kurse, përkitazi me pretendimin për vendimin për dënimin, Gjykata e Apelit, gjen se pretendimet ankimore të mbrojtësit të të akuzuarit Xhafer Bardhi, nuk janë të bazuara, ndërsa përmenden shkalla e lartë e rrezikshmërisë së veprës penale, shkallën e lartë të dashjes, mosha e të miturit.
“…kjo gjykatë, duke marrë parasysh rrethanat rënduese të cekura si më lartë, konsideron se dënimi të cilin i ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë, të akuzuarit është i drejtë dhe i ligjshëm, dhe se, i njëjti është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës të kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit, është në funksion të preventivës gjenerale dhe individuale dhe se me këto dënime do të arrihet qëllimi i ndëshkimit i paraparë me dispozitën e nenit 38 të KPRK-së”, thuhet në vendim.
Në fund, thuhet se ankesa e palës së dëmtuar S.M., përkitazi me lirimin e të akuzuarit Amir, është hudhur si e palejuar ngase me dispozitat në fjalë parashihet se i dëmtuari mund të paraqesë ankesë ndaj aktgjykimit dhe atë vetëm për vendimin e gjykatës, lidhur me sanksionet penale dhe atë për veprat penale që përfshihen në kapitujt kundër jetës dhe trupit, kundër integritetit seksual dhe kundër sigurisë së trafikut publik si dhe tek vendimet mbi shpenzimet e procedurës penale.
Pra, nuk lejohet ankesa e tillë edhe për bazat tjera ankimore apo edhe për rastet kur kemi të bëjmë me aktgjykim lirues, prandaj Gjykata e Apelit, e hudhi ankesën si të palejuar.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 tetor 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Xhafer Bardhin kurse djalin e tij, Amir Bardhin e ka liruar nga akuza. Aty ishte konstatuar se pa mëdyshje është vërtetuar se pas mosmarrëveshjes pronësore lidhur me prerjen e malit i akuzuari Xhafer Bardhi e ka privuar nga jeta A.M dhe pas plagëve kishte vdekur edhe B.M në QKUK.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 shkurt 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Xhafer Bardhi dhe Amir Bardhi, ngarkoheshin se më 5 prill 2021 në vendin e quajtur “Zabel” në pyllin e fshatit Gradicë, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore rreth së drejtës së shfrytëzimit të malit, me dashje të pandehurit Bardhi në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të miturin- tani të ndjerin A.M 15-vjeçar dhe prindin e tij B.M.
Aktakuza thotë se të njëjtit kanë vënë në rrezik dhe jetën e personave tjerë, të dëmtuarave Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, në atë mënyrë që derisa i pandehuri Amir Bardhi ka qenë duke ecur rrugës së malit bashkë me djalin e axhës së tij, dëshmitarin Fisnik Bardhi, aty takohen me të dëmtuarin Valdrin Muja, i cili ka shkuar nga mali, vendi ku ka qenë duke prerë drunj, për ta marrë traktorin dhe për të ngarkuar drunjtë të cilat kanë qenë duke i prerë në mal.
Më pas, aktakuza thotë se Amiri e ka pyetur Valdrinin se “çka jeni duke bërë” dhe se i njëjti i tregon se janë duke prerë drunj në mal dhe më pas i dëmtuari Valdrin vazhdon rrugën në drejtim të vendit ku kanë qenë duke prerë drunjtë, ndërsa Amiri dhe Fisniku po ashtu ndahen.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Amir nëpërmjet telefonit e njofton të pandehurin Xhafer se të dëmtuarit janë duke prerë drunj në mal të cilët bisedojnë për 62 sekonda.
I pandehuri Xhafer i cili ka qenë në shtëpi, thuhet se i merr dy drita për ndriçim të cilat vendosen në kokë, merr armën-pushkën e gjuetisë dhe niset më veturën e tipit “Golf 2” e rrugës bëhen bashkë të dy të pandehurit dhe vazhdojnë në drejtimi të vendit ku të dëmtuarit kanë qenë duke prerë drunj.
Aty, i pandehuri Amir thuhet se ka kontribuar në kryerjen e veprës penale, duke ndriçuar me njërën dritë për të krijuar mundësinë për gjuajte të pandehurit Xhafer, e po ashtu edhe i pandehuri Xhafer ka ndriçuar me njërën dritë dhe menjëherë ky i fundit ka shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit tani të ndjerit A.M i cili në atë moment bërtet “babë më rroki”.
Pastaj, kur i ndjeri B.M dhe i dëmtuari Valdrin shkojnë në drejtim të A.M për t’i dhënë ndihmë, atëherë thuhet se i pandehuri Xhafer prapë shkrep dhe e qëllon tani të ndjerin B.M në kokë, ku më pas i thotë të pandehurit Amir “ikim bir se u bo m**”.
Aktakuza thotë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 16 gëzhoja të vogla me të cilat i kanë rrezikuar edhe të dëmtuarit Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, të cilët kanë qenë prezent duke prerë dhe bartur drunj, ku këta dy të fundit janë alivanosur pas dy të shtënave.
Gjithnjë sipas aktakuzës, për të ndjerin A.M në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas konstatohet vdekja e tij, ku vdekja e tij është e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme si pasojë e veprimit dinamik të predhave të hedhura nga arma e gjuetisë. Ndërsa, tani i ndjeri B.M pëson lëndime të rënda trupore, ku më 15 prill 2021 ndërron jetë në QKUK edhe ai si pasojë e plagëve vdekjeprurëse.
Me këtë, të pandehurit Bardhi akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, i pandehuri Xhafer në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla ka pasur në posedim armën-pushkën e gjuetisë të cilën e ka punuar vetë. Me këtë, i pandehuri Xhafer Bardhi akuzohej edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRKsë, raporton betimiperdrejtesi.