Telegrafi

Apeli ia përgjysmoi dënimin të akuzuarit për krime lufte, Darko Tasiq, kërkohet që rasti të kthehet në rigjykim

Përfaqësues të fshatrave Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël kanë mbajtur sot takim me deputetët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione. Nga deputetët dhe nga Avokati i Popullit ata kanë kërkuar që të angazhohen që rasti i Darko Tasiq të kthehet në rigjykim, derisa uljen e dënimit nga Gjykata e Apelit e kanë quajtur zhgënjyes.

Kryetari i fshatit Krushë e Madhe Selami Hoti, ka kërkuar që secilës shoqatë të familjarëve të të zhdukurve të angazhohen avokatë, pasi që tha se është mënyra e vetme për të dërguar kriminelët në burg.

“Vetëm në Krushë të Madhe 241 qytetarë u masakruan. Nga kjo masakër kanë ngelur shumë fëmijë jetim. Kurrë nuk u prangosën kriminelët”, tha ai.

Gani Zylfiu, kryetari i fshatit Krushë e Vogël, tha se janë të zhgënjyer me uljen e dënimit nga Gjykata e Apelit për Darko Tasiq.

Lexo po ashtu Apeli ia përgjysmon dënimin me burgim të akuzuarit për krime lufte, Darko Tasiq

“Kemi qenë të zhgënjyer që krimineli Darko Tasiq u dënua me 22 vite burg, zhgënjimi i dytë ishte ulja e dënimit. Kemi ardhur për të kërkuar ndihmë nga ju. Jam një nga ata dëshmitarët e krijimit që e ka bërë Darko Tasiq. Zhgënjimet tona me uljen e dënimit janë të mëdha. Një vrasje po dënohen me 20 vite, ndërsa një kriminel, sot Gjykata e Apelit e solli në 12 vite, pas disa viteve jam i bindur se do të lirohet”, tha ai.

Fahrije Hoti, nga Krusha e Madhe, ka kërkuar që deputetët dhe Avokati i Popullit të angazhohen që të ketë rigjykim për Darko Tasiqin, për çka tha se duhet ta marr dënimin e merituar.

“Fatkeqësisht kjo është Kosova dhe kjo është drejtësia. Kisha kërkuar që të rigjykohet edhe një herë ai rast, le ta merr dënimin e merituar”, tha ai.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha “nga vlerësimet që kam gjetur konsideroj si shtet dhe si shoqëri kemi bërë pak në këtë drejtim dhe nuk mund të jemi të kënaqur. Ka munguar një politikë gjithëpërfshirëse për hetimin e këtyre rasteve”.

Nënkryetarja e Komisionit, Besa Ismajli, tha se me çështjen e të pagjeturve nuk bëjnë politikë.

“Ne nuk bëjmë politikë me këtë çështje, bëjmë shumë trysni tek politikanët që ta trajtojnë këtë çështje”, tha ajo.

Nënkryetarja e komisionit, tha se lidhur me kërkesën që ky rast të rikthehet në rigjykim do ta ftojnë në raportim kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. /KP/