Telegrafi

Apeli i Gjykatës së Posaçme GJKKO lë në fuqi sekuestrimin e telefonit të Monika Kryemadhit

Apeli i Gjykatës së Posaçme (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sekuestros të telefonit të deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi.

Përmes një njoftimi të bërë publik, GJKKO bën me dije se ka rrëzuar kërkesën e Kryemadhit e cila kërkoi marrjen e telefonit të saj që i është sekuestruar nga SPAK.

Vetë Kryemadhi ka thënë se sekuestrimi i telefonit i është bërë në lidhje me denoncimet që ka kryer për inceneratorët, ndërkohë që nga ana e SPAK nuk ka një njoftim zyrtar mbi arsyet e sekuestrimit të telefonit.

Vendimi i GJKKO

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Igerta Hysi, sot më 04.01.2024, ora 09:30, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 189 akti, datë 27.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses M.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 481, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që ka rrëzuar kërkesën e shtetases M.K. për heqjen e sekuestros dhe kthimin e sendit të sekuestruar (telefon i markës Iphone)”, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 481, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. /Telegrafi/