Telegrafi

Apeli i Emergjencave Civile pas tërmeteve në Shqipëri: Mos qëndroni në shtëpi sonte

Emergjencat Civile u kanë bërë thirrje qytetarëve me shtëpi të dëmtuara nga lëkundjet e forta të tërmeteve, që të gjejnë strehë tjetër për të kaluar natën, për të shmangur ndonjë incident potencial që mund t’iu rrezikojë jetën.

Më herët, u dha njoftimi i ngritjes së 6 pikave të emergjencave të vendosura në ambiente të hapura, nisur nga situata e pazakontë e orëve të fundit, ku si pasojë e tri tërmeteve të njëpasnjëshme në vend me epiqendër në Durrës, raportohen 105 të lënduar dhe dëme të shumta materiale.

Lexo po ashtu Dy muaj më parë, Ilir Meta kishte paralajmëruar tërmetin që ndodhi sot në Shqipëri

Tri tërmete tronditën vendin pasditen e sotme, mes të cilëve njëri ka qenë me magnitude 5.8 Rihter dhe intensitet mbi 7.5 ballë, i lokalizuar 30 km në veri të qytetit të Durrësit.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, ky është tërmeti më i forti i shënuar në vend në harkun e 20-30 vjetëve të fundit.