Gjykata e Apelit ka shpallur të pafajshme ish-kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Shpresa Bakija.
Burime të “Indeksonline” bëjnë të ditur se vendimi për këtë rast është marrë këto ditë, dhe kolegji i trupit gjykues të Gjykatës së Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, duke e shpallur Bakijan të pafajshme për të gjitha veprat për të cilat ngarkohej.
Ish-kryeprokurorja Bakija akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, zbulim të fshehtësisë zyrtare dhe cenim të fshehtësisë së korrespondencës.
Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, në qershor të këtij vitit në mungesë të provave kishte liruar nga akuza të pandehurën Shpresa Bakija, ndërsa për të pandehurin Arben Arifi ishte shpallur aktgjykim refuzues, pasi që ishte arritur koha e parashkrimit të veprës penale.
Bakija akuzohej se në qershorin e vitit 2012 i ka vënë në dispozicion personit tjetër informatën që përbënë fshehtësi zyrtare, me qëllim të përfitim personal ose me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të informacionit jashtë Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që tabulatet e mesazheve të siguruara në lëndën PPN.5/2012, përmes masave të fshehta ia ka dhënë G. B. e të cilat më pas i njëjti i përcjell personit të paautorizuar në rastin konkret të pandehurit A. A.
Ndryshe me 29 tetor të vitit 2015 Bakija, ishte suspenduar nga të gjitha funksionet saj në Prokurori. Vendimin ishte marr nga Këshilli Prokurorial i Kosovës , pas rekomandimeve të Zyrës së Prokurorit Disiplinor.