Gjykata e Apelit e Kosovës, ka vendosur lidhur më ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe avokatëve mbrojtës të akuzuarit Zoran Vukotiq.
Gjykata e Apelit njofton se në pjesën dënuese, aktgjykimi i shkallës së parë është vërtetuar, ndërsa në atë lirues, lënda i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje.
“Gjykata Themelore në Mitrovicë, më datë .25.05.2018, të akuzuarin Z.V.,e kishte shpallur fajtor vetëm për një pjesë të aktakuzës për krime luftë kundër popullatës civile, vepër kjo e dënueshme sipas ish legjislacion jugosllav, e sanksionuar po ashtu edhe më ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës. Për këtë e kishte dënuar më dënim unik prej gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim. Gjykata e Apelit nuk ka gjetur shkelje në këtë pjesë, dhe si rrjedhojë ankesat janë refuzuar si të pa bazuara”, thuhet në kumtesën dërguar mediave, transmeton Telegrafi.
Për pjesën tjetër, ku akuzuari është liruar nga akuza, gjykata gjen se arsyet përkitazi me faktet vendimtare, që ka dhënë gjykata e shkallës së parë janë të paqarta, kundërthënëse në masë të konsiderueshme dhe në kundërshtim me shkresat e lëndës lidhur me deklarimet e dëshmitarëve që në rastin konkret bëjnë që aktgjykimi i ankimuar të jetë i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale,që i bije të jetë juridikisht është i paqëndrueshëm për ç’arsye u deshtë të anulohet dhe të kthehet në rigjykim”, thuhet në njoftimin e gjykatës. /Telegrafi/