Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli dhe deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj-Prlaskaj, apelojnë te shqiptarët që jetojnë në Kroaci që ta ndihmojnë njëri-tjetrin, si dhe t’i ndihmojnë shtetasit e Kosovës të cilët nuk mund të kthehen në Kosovë për shkak të kufizimit të lëvizjeve/udhëtimeve me qëllim të mbrojtjes ndaj coronavirusi.
Në apelin drejtuar shqiptarëve të Kroacisë thuhet se historikisht komuniteti shqiptar në Kroaci e ka treguar fuqishëm se është i gatshëm t’u bëjë ballë sfidave të ndryshme, duke iu gjendur emocionalisht dhe materialisht afër njerëzve tanë në kohë të vështira, me forcën, karakterin dhe bujarinë tipike shqiptare.
“Këto ditë shumë prej bashkëkombësve tanë në Kroaci po përballen me probleme pa precedent: mungesa e strehimit për shkak të kufizimit të lëvizjeve dhe për shkak të tërmetit në Zagreb, si dhe rreziku i infektimit nga coronavirusi”, thuhet më tej.
“Hyrje-daljet mes qyteteve të Kroacisë janë ndaluar, përhapja e coronavirusit vazhdon dhe dëmet nga tërmeti në Zagreb kanë dyfishuar vështirësinë e situatës. Në këto kushte u bëjmë apel të gjithë pronarëve të furrave në Kroaci që të mundësojnë furnizimin me ushqim të shqiptarëve të cilët nuk mund të kthehen në Kosovë për shkak të kufizimit të lëvizjeve/udhëtimeve me qëllim të mbrojtjes ndaj coronavirusit”.
“U bëjmë apel pronarëve të hoteleve, ose atyre që kanë banesa momentalisht të pashfrytëzuara, që t’u mundësojnë strehim bashkatdhetarëve që nuk kthehen dot në Kosovë, si dhe atyre të cilët nuk kthehen dot në vendbanimet e tyre për shkak të dëmeve nga tërmeti”.
Në këtë thirrje thuhet po ashtu “Ju kujtojmë që kjo situatë është e pazakontë dhe e përkohshme. Është e rëndësisë jetike që t’u gjendemi pranë në mënyrë vullnetare njerëzve tanë në këto kohë të vështira, duke marrë parasysh që mundësitë e institucioneve përkatëse për të ofruar mbështetje dhe ndihmë janë të pakta në këto kushte. Secili prej nesh mund të bëjë pak, dhe së bashku mund të arrijmë shumë. Tani është koha ta tregojmë veten”!. /Telegrafi/