Pas zjarreve që kanë përfshirë malet e Bjeshkëve të Rugovës, të cilat fatmirësisht janë lokalizuar falë intervenimit të zjarrfikësve, KFOR-it, FSK-së dhe Policisë së Kosovës, drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” edhe me tej bën thirrje për kujdes dhe mbrojtje të pyjeve nga zjarret pas rastit në Bjeshkët e Shtupeqit – territor i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. Ndërsa, Ministria e Punëve të Brendshme njofton se dje ka rënë zjarr në komunën e Pejës, në fshatin Shtupeq, rajoni i Rugovës, i cili tashmë është lokalizuar.
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka publikuar apelin e Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, përmes së cilit kërkohet kujdes dhe mbrojtje e pyjeve.
“Me këtë rast shprehim falënderim dhe mirënjohje për zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës të cilët edhe sot, në ditën e tretë të rastit, qe nga orët e hershme të mëngjesit kanë qenë në prezent në vendin e ngjarjes me numër të shtuar të pjesëtarëve të tyre”, thuhet në komunikatën e drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, transmeton Telegrafi.
Më tej në komunikatë thuhet se falë angazhimit dhe ndihmës së tyre se bashku me stafin e DAPK “Bjeshkët e Nemuna” është arritur qe të menaxhohet situata dhe e cila tashmë është nën kontroll.
“Gjithashtu falënderojmë edhe KFOR-in, të cilët gjatë ditës se djeshme dhe sot kanë intervenuar nga ajri për shuarjen e zjarrit”.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme njofton se dje ka rënë zjarr në komunën e Pejës, në fshatin Shtupeq, rajoni i Rugovës.
Përmes një reagimi në Facebook, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla ka thënë se kjo ministri menjëherë ka aktivizuar strukturat e saj dhe ka ndërmarrë veprime në monitorim, informim, si dhe koordinim të situatës emergjente.
“Njësitë e zjarrfikësve nga rajoni i Pejës dhe Gjakovës janë angazhuar me kapacitet të plotë në shuarje të zjarrit. Njëherit, në shuarje të zjarrit është angazhuar edhe Policia e Kosovës, me njësi të saj të veçanta si dhe Forca e Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrit Sveçla.
MPB thotë është duke koordinuar edhe bashkëpunimin me Ministrinë e Mbrojtjes, KFOR-in, Komunën e Pejës dhe banorët lokalë.
“Gjendja e vatrave të zjarrit është lokalizuar dhe po punohet pandërprerë në vënien nën kontroll dhe shuarjen e plotë të zjarrit si nga zjarrfikësit, FSK-ja dhe KFOR-I, të cilët janë plotësisht të përkushtuar të përfundojnë me sukses këtë intervenim”, thuhet më tej në komunikatë.
MPB siguron se qytetarët dhe prona e tyre, deri në këto momente, janë të sigurt dhe nuk ka nevojë për asnjë shqetësim. /Telegrafi/