Këto dite lexuam që Kosova ka humbur 15 milionë euro taksa doganore nga veriu i Kosovës, si pasojë e marrëveshjeve ne Bruksel. Këtë e deklaroi i pari i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna, i cila gjithashtu se situata është e “qetë” dhe që oficerët doganorë po patrullojnë me mjete të blinduara. Si mund të jetë e qetë situata kur brenda shtetit të Kosovës patrullohet me mjete të blinduara, kësaj pyetjeje nuk mund t’i japë përgjigje as Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës.
Si zyrtar i ri ne këtë detyrë, Rafuna siç duket nuk është i informuar që veriut të Kosovës nga punëdhënësi i tij j falen 125 milionë euro borxhe të KEK-ut. Pse të bëjmë polemike për 15 milionë euro, kur u falën 125 milionë? Jo polemikë ose debat për këtë çështje nuk ka dhe as që ka pasur, sepse jemi duke jetuar në një aparteid ekonomik ku në bazë të përkatësisë gjeografike ke privilegje dhe nëse bën një krim ekonomik amnistohesh nga një ligj i shtetit.
Çka është aparteidi ekonomik do të pyesni ju?
Kjo pyetje, nëse flitet ne kontestin e Kosovës, donë një përgjigje me të gjerë, por unë do të jem më i shkurtër. Aparteidi ekonomik është nëse jeton dhe vepron në veriun e Kosovës ose matanë lumit Ibër. Atëherë ke “privilegje” të cilat nuk t’i mohon askush dhe nëse rastësisht jeton dhe vepron në pjesën “jugore të Kosovës”, jo që nuk ke privilegje, por do të paguash edhe për privilegjet e atyre në veri. Si do të paguajmë do të pyetni ju? Do të paguash dhe je duke paguar, sepse pagat e atyre zyrtarëve “matanë Ibrit” i paguajnë taksapaguesit e Kosovës që gjenden në “jug”, ndërsa ata në veri nuk paguajnë as edhe një kacidhe.
Shteti nuk ndërtohet me këtë aparteid ekonomik. Shteti ndërtohet me një barazi ekonomike. Por, siç duket këtë e kanë harruar zyrtaret tanë qeveritarë.
Koha e patriotizmit radikal ka kaluar. Sot nuk luftohet me armë në dore. Sot nuk luftohet me debate të kota televizive; sot luftohet duke e respektuar shtetin dhe të drejtat e qytetareve; duke paguar taksat nga të cilat do të paguhen mësuesit e fëmijëve tanë; do të paguhen policët të cilët do të ruajnë rendin dhe qetësinë e fëmijëve tanë.
Ne çdo ditë kontribuojmë në arkën e shtetit dhe çka po bën shteti që të na mbrojë si biznesmenë të suksesshëm? Asgjë, sepse nga “veriu” po futen mallra pa paguar taksa, dhe atë në mënyrë legale. Këtë po e mundëson Qeveria jone. Nëse ata nuk janë të zotët që të ndalojnë këtë, të paktën presim nga ata që të deklarohen “që nuk janë të zotët të menaxhojnë me këtë situate” dhe në sigurisht do të pajtoheshim.
Por, assesi nuk dëshirojmë manipulim. Ne nga ata kërkojmë që të jenë transparentë kundrejt taksapaguesve, sepse ne nga “jugu” presim padrejtësisht nga 10 ditë në terminalët doganorë për shkaqe burokracie.
Ky lloj aparteidi ekonomik i cili e ka ngufatur ekonominë e Kosovës, është sëmundja më e keqe që mund të këtë një ekonomi e një shteti. Shpresojmë që të paktën biznesmenët kosovarë të jenë të vetëdijshëm se në ç’vend janë duke operuar.