Associated Press i ka kushtuar një artikull gjendjes aktuale me pandeminë e COVID-19 në Kosovë, ku flet për humanizmin e mantelbardhëve dhe qytetarëve të shumtë që kanë dalë vullnetarë për të ndihmuar të prekurit nga kjo sëmundje.
Duke ndihmuar babanë e saj që u infektua me coronavirus, Arta Jashari mësoi për fuqinë se si një person mund t’i ofroj shpresë të tjerëve dhe t’i ndryshojë gjërat për të mirë, transmeton Telegrafi.
Bëhet fjalë për sopranon 32-vjeçare e cila mori pjesë në trajtimin e babait të saj Baki Jashari, kreu i Filarmonisë së Kosovës që vuan nga diabeti dhe problemet me zemër – i cili pas trajtimit u lirua nga klinika e Pulmologjisë në Prishtinë.
Siç raporton Associated Press, me karantinë, kjo punë është e vështirë. Por ishin fqinjët që edhe njëherë treguan zemërgjerësinë e tyre duke i ofruar ushqim Jasharit dhe gjësendet tjera esenciale për të cilat ajo kishte nevojë.
E pasi që babai i saj u shërua një muaj më vonë, ajo e kuptoi se si bota është e bashkuar po ballafaqohet me këtë pandemi, duke lënë të kuptohet se mirësia gjithmonë shpaguhet.
Por Jashari nuk u ndal me kaq, kjo artiste e famshme, vendosi të ndihmojë duke veshur rrobat mbrojtëse dhe kështu iu drejtua klinikës së Pulmologjisë – për të ofruar çfarëdo ndihme që ajo mund të jepte.
“U jepni shpresë atyre kur jeni rreth tyre. Ata e dinë se ju jeni aty për t’i ndihmuar”, tha Arta për Associated Press.
Ajo nuk ka përfunduar ndonjë trajnim apo kurs sa i përket mjekësisë, por asistoi mjekët në çfarëdo mënyre, të cilët trajtonin pacientët qoftë në klinikë apo nëpër shtëpi. Për pacientët që shëroheshin në shtëpi, ajo shpesh bisedonte me ta dhe brengat e tyre ua transmetonte stafit shëndetësorë.
E Flamur Marku, pulomolog në klinikën e Pulmologjisë, ka thënë se është vështirë të besohet se si “dikush mund ta rrezikoj shëndetin, pasi gjasat ishin të mëdha për t’u infektuar”.
“Pavarësisht se bartni rroba mbrojtëse dhe pajisje tjera, ekziston gjithmonë rreziku kur jeni në kontakt me pacientët e prekur me COVID-19. Ishte një gjest shumë i mirë nga ana e Artës”, ka shtuar Marku. /Telegrafi/