Site icon Telegrafi

Anulohet tenderi i kurdisur nga Agim Bahtiri

Është konfirmuar kurdisja e tenderit për zëdhënës të komunës së Mitrovicës nga kryetari Agim Bahtiri, për të cilin ka raportuar Gazeta Fjala me 20 tetor. Mënyra e përgatitjes së terrenit për të fituar këtë tender, ish zëdhënësi që kishte dal në pension Hysni Syla, është cilësuar si shkelje e Ligjit të Prokurimit nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.

Ky komision, që është kompetent për monitorimin, mbikëqyrjen dhe kontrollimin e zbatimit të Ligjit për Prokurimin Publik të Kosovës, ka kërkuar nga komuna e Mitrovicës anulim të kësaj procedure.

Fahri Maxhuni udhëheqës i Departamentit të monitorimit në KRPP thotë se ky departament ka ardhur në përfundim se komuna bëri gabim kur provoi të punësoj shërbyes civil përmes prokurimit. “Pasi zhvillimi i procedurës së prokurimit për pranimin e punëtorëve nuk lejohet me ligjin e prokurimit”, tha ai.
Sipas Maxhunit ndërhyrja në çështjet e kurdisjes së tenderëve për operatorin apo individin e caktuar nuk i lejohet askujt. “Qoftë ai edhe kryetari i komunës apo ministër”, tha ai.

Maxhuni tha se kanë marr veprimet e nevojshme dhe ka monitoruar aktivitetin e prokurimit në fjalë pas informatës që kanë marrë nga Gazeta Fjala.
Kryetari i komunës Agim Bahtiri e konfirmoj se ka dhënë urdhër të anulohet tenderi. “Po unë e kam marrë dje vendimin e KRPP-së dhe kam dhënë leje që tenderi për zëdhënës të anulohet”, tha Bahtiri.

Megjithatë ai nuk e pranon të ketë bërë kurdisje dhe nuk është i gatshëm të mbaj fjalën e dhënë më herët se do të shpërblej me 5 mijë euro atë që do të mund të argumentonte vetëm një rast të këtyre dukurive, në komunën e Mitrovicës. “S’ka pas asnjë element të asaj çfarë pretendoni ju, unë nuk shoh që ka pasur këtu diçka të keqe, unë s`kam provuar atë çfarë po pretendoni [kurdisje të tenderit], ditën e mirë”, tha Bahtiri i cili e mbylli telefonin.

Gazeta ka kontaktuar ditën e mërkurë edhe zyrtarin e prokurimit në këtë komunë i cili tha se e kishin pranuar vendimit të bordit të KRPP-së që nga java e kaluar.

Sipas tij, komuna nuk e kishte nënshkruar ende këtë kontratë kur kanë marrë vendimin e KRPP-së dhe se për të marrë vendimin për anulimin e tërësishëm të tij u është dashur të presin kryetarin Bahtiri pasi që ai nuk ka qenë në udhëtim zyrtarë jashtë vendit. “Ne do të bëjmë anulimin e dhënies së propozimit për nënshkrim të kontratës -pasi nuk është nënshkruar kontrata në fjalë- sot ose nesër do ta shihni ne ueb faqen e KRPP-së”, tha Haxhimet Ferati.
Mirëpo njoftimi për anulim ende nuk është publikuar në faqen e KRPP-së.

Edhe Agjencioni Kundër Korrupsionit, e pati konfirmuar se pas informatave nga Gazeta Fjala është hapur ky rast. Hasani Preteni ka thënë se shumë shpejtë do të dalin me një vendim. “Informatat duhet trajtuar dhe vërtetuar, ato janë përcjellë për trajtim”, ka thënë Preteni.

Më 20 tetor u raportua se ish-zëdhënësi Hysni Syla ishte shpallur fitues i tenderit në vlerë prej 2 mijë e 460 euro për kryerjen e shërbimeve të informimit për tre muaj.

Syla ka dal në pension mirëpo për të përmbushur kërkesën e Bahtirit për tu kthyer në komunë atij i është dashur të formoj një kompani në emrin e tij për të mundur të merr pjesë në procedurën tenderues.

Pasi që drejtori i financave në Mitrovicë nuk lejoi mënyrë tjetër për vazhdimin e angazhimit të Sylës. /Gazeta Fjala/Telegrafi/

Exit mobile version