Në Gjykatën Penale sot u anulua seanca për të akuzuarin e shtatë Dimçe Kërstev për rastin “Shuplaka në Komunën Qendër”, për të cilin gjykatësja Tatjana Mihajllova kishte vendosur të gjykohet ndaras. Prokurorja speciale, Fatime Fetai theksoi se mbrojtja ka dorëzuar dokument që shpreh dyshim se Kërstev nuk ka qenë mirë mentalisht gjatë kryerjes së veprës penale dhe se është e nevojshme ekspertizë psikiatrike.
Në rastin “Shuplaka” 14 persona janë akuzuar, në mesin e të cilëve edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski dhe deputetja e OBRM-PDUKM-së Daniella Rangellova. Në seancat paraprake, faj për ngjarjet para Komunës Qendër në qershor të vitit 2013, pranuan i akuzuari i katërt Tomisllav Llazarov dhe i akuzuari i pestë Jordan Ristevski.
“Seanca kundër të akuzuarit Dimçe Kërstev është shtyrë për 19 shkurt të vitit të ardhshëm sepse nga ana e avokatit të tij është dorëzuar dokument i caktuar që çon në dyshim në atë se a ka qenë mirë i dyshuari nga ana mendore gjatë kohës së kryerjes së veprës penale. Në pajtim me dispozitat e ligjit për vepër penale nëse paraqitet dyshim për sëmundje mendore se i akuzuari gjatë kohës së kryerjes së veprës penale s’ka qenë mirë, është e nevojshme që të urdhërohet ekspertizë psikiatrike për të akuzuarin, ajo do të bëhet me urdhrin e prokurorit publik dhe kur do të merret ekspertiza do të vendoset për rrjedhën e mëtejshme të procedurës”, u shpreh prokurorja e PPS, Fatime Fetai.