Site icon Telegrafi

Anulohet seanca për “Dhunën në Qendër”, mungoi njëri nga të akuzuarit

Për shkak të mungesës së të pandehurit Aleksandar Brajkovski gjykimi për lëndën e PSP-së “Dhuna në Qendër” është anuluar për më 29 tetor.

I pandehuri në gjykatë ka dorëzuar parashtresë me të cilën i njofton se në atë periudhë ka pasur të caktuar seancë në Komunën e Gazi Babës, në të cilën ai është këshilltar.

Prokurorja Fatime Fetai, tha se shkaqet për mungesë të Aleksandrit nuk janë të justifikuara dhe janë me qëllim të zvarritet gjykimi. Ajo propozoi që gjykatësi të urdhërojë arrestim të detyrueshëm edhe atë menjëherë.

Avokati Boro Tasevski, tha se kërkesa e PSP-së është e pabazë sepse bëhet fjalë për seancë në rend dite të së cilës janë 12 pika që duhet t’i votojnë këshilltarët në veçanti, sepse në Këshillin e Komunës së Gazi Babës raporti i forcave politike është i atillë që vetëm me një votë mund të merret ose pezullohet ndonjë vendim.

Prokurorja speciale Fetai tha se gjykatësi duhet të caktojë çka është më me rëndësi, seanca e Këshillit të komunës apo gjykimi që zhvillohet për momentin.

Në këtë lëndë i akuzuar është edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili dyshohet për nxitje të dhunës në protestat e vitit 2013 para Komunës Qendër./Telegrafi/

Exit mobile version