Telegrafi

Anulohet përsëri seanca gjyqësore në rastin e Donjeta Pajazitajt, vëllai i të ndjerës thotë se procesi po shtyhet deri sa të vdes i akuzuari

Gjykata Themelore në Ferizaj ka anuluar mbajtjen e seancës gjyqësore në rastin e Donjeta Pajazitaj.

Vëllai i viktimës, Shkelqim Pajazitaj përmes një postimi në Facebook ka shkruar se seanca ishte paraparë të mbahej sot në orën 10:00, dhe njoftimi që është anuluar i është dërguar atij sot në orën 08:26.

Ai ka thënë se si familjar të Donjetës mendojnë se seancat po anulohen shumë herë dhe do t’i anulojnë deri në ditën kur do të vdes i akuzuari dhe se e vërteta do të mbetet mister përgjithmonë.

“Seanca ishte paraparë të fillojë nga ora 10:00, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, e njoftimi që nuk do të mbahet na vjen në ora 08:26, me arsye se nuk mund ta sjellin të akuzuarin në Gjykatë, a thu sot nuk do të mbahet asnjë gjyq sepse nuk paska transport shteti t’i sjellin të akuzuarit, apo vetëm për të akuzuarin për vrasjen e Donjetës nuk po mujka shteti t’i sigurojë transport” ka shtuar ai.

Telegrafi ka kontaktuar edhe me Gjykatën Themelore në Ferizaj të cilët kanë treguar se arsyeja e anulimit të seancës ka të bëjë pikërisht me pamundësinë e sjelljes së të akuzuarit në seancë gjyqësore.

Zyrtarja ligjore në këtë gjykatë, Gentiana Hoxha bëri të ditur gjithashtu se seanca e radhës është caktuar të mbahet më 10 mars 2022.

Donjeta Pajazitaj u gjet e vdekur në bjeshkët e Strellcit në vitin 2015, 6 javë pas ditës së fundit kur doli nga shtëpia për të shkuar në punë.

I dyshuari për vdekjen e saj është kushëriri i Donjetës, Naser Pajazitaj, i cili aso kohe kishte njoftuar familjarët se e kishte gjetur trupin e pajetë të Donjetës në bjeshkët e Strellcit, të mbuluar me dru.

Nga ajo kohë, rasti është sjellur përpara gjykatës 4 herë, së pari në Gjykatën Themelore në Pejë, e pastaj është bartur në atë të Ferizajt. /Telegrafi/