Gjyqtari Ognen Stavrev në seancën e sotme për rastin “Titanik” të Prokurorisë Speciale Publike, theksoi se gjykimi do të anulohet për më 13 maj.
Stavrev tha se anulimi është për shkak të mungesës së gjyqtarit Osman Shabani, i cili është pjesë e Këshilli Gjyqësor, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Rasti “Titanik” gjendet në procedurën e dëshmive, ndërsa jepen dëshmi të propozuara nga PSP-ja. Bëhet fjalë për rreth 5,900 dëshmi materiale. Prezantohen dokumente personale, si kërkesa për dhënien e letërnjoftimeve, deklarata për persona të plotfuqishëm, ekstrakte nga llogaritë, vërtetime dhe dokumente tjera.
Përveç ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili është në arrati, në lëndën “Titanik” të akuzuar janë edhe Kirill Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankulloska, Biljana Brishkoska Boshkovski, si dhe Ilija Dimovski, Munir Pepiç, Edmond Temelko, Leko Ristovski, Kiril Todorovski, Katerina Velovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeki, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov , Dalibor Aleskoviç dhe Lenka Rashajkovska.
Ata akuzohen për shoqërim kriminel, shkelje të të drejtës zgjedhore, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor si dhe keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës./Telegrafi/