Me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të Institucioneve shtetërore, për hir të transparencës dhe dhënies së mundësive për të pasur një konkurrueshmëri sa më të gjerë Ministria e Financave njofton opinionin se ka marrë vendim për anulimin e konkursit për pozitën: Drejtor i përgjithshëm i Doganës së Kosovës.
Anulimi i konkursit është bërë për të bërë të mundur zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar nga Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe Ambasadori britanik në Kosovë Ruari O’Connell.
Sipas kësaj marrëveshje, ekspertët ndërkombëtar do të angazhohen në mbikëqyrjen e procesit të zgjedhjes së drejtorit që nga fillimi.
Përmes kësaj qasjeje sigurohet transparencë e plotë në procesin konkurrues dhe përzgjedhje e drejtorit vetëm në bazë të meritës dhe profesionalizmit.
Pozita e Drejtorit të përgjithshëm vlerësohet si pozitë e lartë shtetëror, prandaj me qëllim të zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ky konkurs duhet të përsëritet.
Ministria e Financave garanton që përsëritja e këtij konkursi dhe zbatimi i Memorandumit të Bashkëpunimit do të ndikojë në zhvillimin e një procesi transparent dhe të besueshëm, ashtu siç ishte synuar me planin e rekrutimit të Ministrisë së Financave.
Ministria e Financave kërkon mirëkuptim nga aplikantët si dhe i fton ata për konkurrim. /Telegrafi/