Telegrafi

Anulohet gjykimi për rastin e vdekjes së Sazdovskit, seanca e radhës më 5 mars

Seanca e sotme për rastin e vdekjes së 20-vjeçarit Nikolla Sazdovski, u anulua për shkak se nuk ishin dorëzuar transkriptat nga analiza shtesë, e cila u bë pas rikonstruktimit të rastit.

Seanca e radhës është caktuar për më 5 mars, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas aktakuzës, B.B dhe S.D së bashku me J.L (19) i cili është në arrati, më 26 qershor të vitit të kaluar e kanë rrahur Sazdovskin në stacionin policor para fabrikës “Alkaloid” në bulevardin “Aleksandri i Maqedonisë” në Autokomandë.

Nga lëndimet e marra Sazdovski më 9 korrik ndërroi jetë në Klinikën për Anestezi, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv.

Dy të akuzuarit janë në paraburgim në burgun e Shuto Orizares, ndërsa për të dyshuarin e tretë, i cili akoma është i pakapshëm për organet e rendit, është lëshuar fletarrest ndërkombëtar dhe vendor./Telegrafi/