Telegrafi

Anulohet ardhja në Prishtinë e “Gjeneralit…”

Lajmin Teatrit Kombëtar të Kosovës ia ka kumtuar Adem Karaga, Drejtor i Teatrit Shqiptar të Shkupit. Sipas Karagas, problemet financiare janë arsyeja kryesore për anulimin e turneut në Prishtinë me shfaqjen “Gjenerali…”!

Karaga, nëpërmjet telefonit, ka shpjeguar arsyet për këtë anulim të pakëndshëm, duke potencuar posaçërisht mosgatishmërinë e Ministrisë së Kulturës të Maqedonisë që të mundësojë këtë turne në Prishtinë.

Teatri Kombëtar i Kosovës patë bërë të gjitha përgatitjet për të pritur trupën mysafire të teatrit të Shkupit. Interesimi i publikut ka qenë i jashtëzakonshëm.

“Na vjen keq që u anulua ardhja e ‘Gjeneralit…’ në Prishtinë. Vërtet na vjen keq, posaçërisht për publikun që tregoi kaq shumë interesim për këtë shfaqje. Fatkeqësisht ne, nga ana jonë, nuk kemi mundur të bëjmë asgjë. Me kapacitetet tona ne u kemi ofruar mbulimin e shpenzimeve të akomodimit, por nuk kemi mundur të ofrojmë më shumë”, tha Jeton Neziraj, Drejtor Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke shprehur bindjen se ardhja e “Gjeneralit…” do të mundësohet në një të ardhme të afërt. /Telegrafi/