Site icon Telegrafi

Anulohen garat në të gjitha kategoritë seniore për sezonin 2019/2020 në basketboll

(Foto: Basketbolli.com)

Në mbledhjen e vet të rregullt të mbajtur më 19 maj 2020, Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) duke i parë zhvillimet e fundit me pandeminë COVID-19, në bazë të kompetencave të veta statutare, unanimisht ka marrë vendim që të anulojë garat në të gjitha kategoritë seniore për stinorin 2019/2020.

Vendimet për ndërprerjen dhe anulimin e garave të në gjitha kategoritë seniore, përfshirë vendimin e datës 31 mars 2020 për anulimin e garave në Superligat e Kosovës në basketboll, janë marrë duke pasur në vëmendje dhe radhë të parë shëndetin e lojtarëve, trajnerëve, punëtorëve sportivë dhe të gjithë akterëve të përfshirë në organizimin e garave të basketbollit, si dhe karakteristikat e sportit tonë, zhvillimi i së cilit është i pamundur në kohë kur pandemia globale po vazhdon që të jetë e pranishme në Kosovë.

Në lidhje me modalitetet e vazhdimit të stinorit të garave në kategoritë e grupmoshave të reja, apo organizimin eventual të një gare zëvendësuese gjatë verës ose para fillimit të stinorit të ri, Federata e Basketbollit të Kosovës do të njoftojë opinionin me kohë pas konsultimeve me autoritetet përkatëse në nivel vendor dhe ndërkombëtar dhe në pajtim me udhëzimet e profesionistëve shëndetësorë.

Vendimi për garat e grupmoshave të reja do të merret pas rishqyrtimit të masave mbrojtëse nga pandemia nga autoritet përgjegjëse të Republikës së Kosovës.

Ky vendim hyn në fuqi në datën e miratimit të tij nga Bordi Ekzekutiv i Federatës së Basketbollit të Kosovës, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Exit mobile version