Site icon Telegrafi

Anulohen fluturimet nga Prishtina për në Italinë e veriut, por jo linjat e autobusëve

Përkundër që linja ajrore mes Kosovës dhe Italisë veriore, pjesë kjo më e prekur nga koronavirusi, janë anuluar, nga pjesë të tjera ka linjë me autobusë.

Fluturimet që realizoheshin të enjteve dhe të dielave për në Itali nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” janë anuluar. Kështu ka bërë të ditur zyrtari për marrëdhënie me publikun në Aeroportin e Prishtinës, Bujar Gashi.

Ai tha se këtë vendim e ka marrë Ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit ka marrë vendim të ndalojë fluturimet nga Italia e Veriut, përkatësisht nga Verona. Ne kemi pasur fluturime nga ky qytet dy herë në javë, të enjteve dhe të dielave”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Bujar Gashi.

Por, ndryshe nga linjat ajrore, linjat e autobusëve për në Itali nuk janë ndërprerë. Menaxheri i agjencionit turistik Saba Travel, Driton Bytyqi thotë se kjo nuk paraqet rrezik për shkak të numrit të vogël të udhëtarëve, përcjell Telegrafi.

“Itali-Prishtinë për momentin kemi udhëtime dy herë në javë, të marteve dhe të premteve. Nuk kemi ndonjë fluks të madh për momentin. Për momentin nuk jemi të gatshëm të ndalojmë këto linja, pasi nuk kemi nevojë ne të marrim këtë vendim, por nëse institucionet e shohin si të nevojshme ne vet do ta ndalonim udhëtimin. Ne nuk kemi një fluks të madh si aeroplani që do të mund të vinin nga Italia, ne kemi numër shumë të kufizuar të udhëtarëve”, deklaroi Driton Bytyqi.

Ndërkaq, si masë mbrojtëse në vazhdimësi nëpër pikat kufitare janë ekipe mobile të mjekëve, në rast se ka persona të dyshimtë. Ndryshe, deri më tani në Itali janë mbi 230 viktima nga korona virusi, afër 6 mijë persona janë të infektuar. /RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version