Sipas raportimeve të fundit, Milani mund të kontaktojë me Antonio Conten gjatë verës nëse vendosin të ndërprejnë bashkëpunimin me trajnerin aktual Stefano Pioli para asaj kohe.
Pioli e ka gjetur veten në një presion të lart pas barazimit zhgënjyes 2-2 ndaj Salernitanas që gjendet në vendin e 20-të në Serie A.
“Rossonerët” kanë fituar vetem një nga tri takimet e fundit të tyre në Serie A.
Ata gjithashtu janë eliminuar në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, andaj top katërshja në elitën e futbollit italian është prioriteti kryesor i tyre tani.
Përkundër barazimit nuk pritet të ketë njëherë ndonjë ndryshim në stafin teknik të klubit. Pioli definitivisht do të jetë në krye të klubit pas Krishtlindjeve, madje Gazzetta dello Sport raporton se ai mund të mbetet deri në përfundim të këtij sezoni.
Sidoqoftë, ka pasur thashetheme se në rast të largimit të Piolit atëherë në vend të tij do të vinte Antonio Conte i cili momentalisht nuk është duke drejtuar ndonjë ekip.
Pritshmëritë janë që Conte do të kërkonte një pagë të lartë dhe me shumë mundësi do të bënte kërkesë për disa blerje të shtrenjta, por gjithashtu do t’i kërkohej që të rregullonte problemet e Milanit në fazën e mbrojtjes.
Një tjetër emër dhe një opsion më i lirë që është sugjeruar, është ish-mbrojtësi i djathtë dhe trajneri aktual i Primaveras, Ignazio Abate, i cili ka lënë mbresa të mira në udhëheqjen e grupmoshave U19 të kuqezinjve./Telegrafi/