Telegrafi

Antivakserët i vërsulen veturës së kryeministres së Zelandës së Re, ajo ruan qetësinë: Një ditë tjetër e zakonshme në punë

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, sërish ka treguar se pak gjëra mund ta nxjerrin nga “binarët”.

Në rrjetet sociale këto ditë po qarkullon videoja e “antivakserëve” duke protestuar, që shfaq edhe furgonin brenda të cilit gjendej Ardern, e cila u rrethua nga demonstruesit e nervozuar, transmeton Telegrafi.

Tërë ngjarjen e filmoi nga vetura, e në video dëgjohen “ja ku është Jacinda”. Vetura në të cilën gjendej kamera kishte ndjekur nga pas furgonin e kryeministres, e në një moment dikush brohoriti se kryeministrja është “naziste” – duke mos kursyer të shara nga më të ndryshmet.

Madje turma u dëgjua duke bërtitur “si nuk keni turp” dhe “nuk heqim dorë”. E derisa një veturë tentoi të bllokojë furgonin, mjeti i qeverisë së Zelandës u detyrua të lëviz nëpër trotuar për të shmangur përplasjen.

Kur kryeministrja u pyet të komentoj incidentin, Ardern tha se për asnjë moment nuk është brengosur për sigurinë e saj.

“Ishte edhe një tjetër e zakonshme. Nuk jam brengosur për sigurinë e njerëzve që ishin me mua. Kjo punë çdo ditë sjell me vete përvoja të ndryshme. Aktualisht në këtë vend mbizotëron një atmosferë paksa më intensive, e pazakontë për vendin tonë. Gjithashtu besoj se me kalimin e kohës do të stabilizohet”, shtoi ajo. /Telegrafi/