“Ai që ka frikë edhe kur ka të drejtë, nuk fiton” (Aforizëm)
“Në emër të popullit…” sa njeriu është gjykuar, sa njeriu është pushkatuar, sa njeriu është zhdukur përgjithmonë, është sakatosur, është masakruar e ka mbet pa dinjitet e pa identitet. Demofilë të vërtetë ka pak si ka pak drurë të drejtë edhe mali. A mund të jesh demofil pa i ndenjur popullit pranë, pa punuar asgjë për popullin tënd, pa dhënë asgjë për të, pa ia ditur brengat dhe pa e dëgjuar se ku po i dhemb më shumë. Rrinë me shpinë kundër popullit e pandehin se janë demofil. Mjeti kryesor i tyre është demagogjia.
Bëhen aktivë, shkojnë në çdo skutë të vendit thua t’i se s’ka me ta. Shkojnë për ndonjë interes Pro Domo si thonë latinët. Kurrë s’u ka interesuar e nuk u interesojnë brengat e popullit. E mbushin gojën me fjalën “popull” e s’kanë asgjë të përbashkët me të. Pra, populli harrohet, injorohet, mashtrohet.
Këta “gramafona të prishur”, përgjërohen, përdëllehen, i bien në gjunjë popullit, thua ti se janë duke u shkri si qiriri i Naimit e pastaj bëhen të shurdhër e nuk u han palla për askënd. Këtyre “gramafonave” po u çirret maska, po u shtirret zëri, po dihet kush janë, çka janë, ç’po bëjnë e si po veprojnë. Populli po e di si po vendoset, si po abuzohet në emër të tij pa e pyetur kush kurrë! Ata kanë vetëm fjalë, fjalë të mëdha, fjalë që s’mbahen kurrë, fjalë që i merr era.
J. Conrad thotë: ”Fjalët janë armiku më i madh i realitetit”. Edhe në emër të demokracisë po zihet gjithçka që është e errët e në dëm të popullit.
Si u keqpërdor shumë nocioni popull, tash po keqpërdoret edhe nocioni demokraci. Dihet se bota jonë është e mbushur me labirinte. Demofilët në emër të demokracisë po na i mbyllin rrugët nëpër këto labirinte të jetës sonë, çka është në rrezik të biem në një humnerë që s’ka dalje.
Këto dy fjalë të ëmbla e të rëndësishme në leksikun e botës duhet të çmohen e të ruhen si sytë e ballit. Populli e demokracia janë njëshi i njerëzimit. Fjalë këto, si dy xhevahire, duhet të ruhen në dhomën e demokracisë, e pastaj të vihen në shërbim të njerëzimit, e assesi mos të futen ne dhomën e mbrapsht e të shfrytëzohen për qëllime të ulëta të njerëzve shpirtvegjël.
Njerëzit që kanë dashuri të rrejshme për popullin janë pompozë e bombastikë. Kjo bujë e tyre shprehet me një patetizëm të tepruar. Lind pyetja çka fshihet ne shpirtin e tyre? Shpirtvegjëlit gjithmonë janë të gatshëm të thurin tregime të ndyta sidomos për ata që i nënshtrojnë.
Kush po përpiqet ta vë në një topitje të rëndë e të gjatë popullin tonë, kush po abuzon, kush po premton, kush po e ha djersën e huaj, paranë e huaj, kush po rrah gjoks “shteti jam un[“, kush po kërcënon, kush po shiton e zezon mbi supet e këtij populli të shumëvuajtur, kush po monopolizon, kush po kriminalizon, kush po përfiton edhe prej stuhisë, edhe prej mjerimit, kush janë mashtruesit e së keqes, po kush janë tjetër pos ata që rrinë, hyjnë e dalin nga dhoma e mbrapsht e djallit? Këta tipa të kazinove, të hoteleve po luajnë “Va tu” (krejt ose kurrgjë) me popullin e vet.
Besoj se populli tashmë e di kush janë dhe ka fuqi të plotë t’i demaskojë. Të gjithë grandomanët, kainët, marionetatambigët, demonët, judrit, horabecët e shumë e shumë dëmtues të tjerë, me siguri do të sosen nga flaka e demokracisë.
Mbani mend, faqezinj të krekosur e tinëzar: populli është gjithmonë në kontest me ju. Kurdo ju zë në flagrancë.